Lidhje

Kandidatët në Lezhë diskutojnë platformat zgjedhore


Qarku i Lezhës është një ndër më të rëndësishmit në Shqipëri, jo vetem se aty kalojnë rrugët qe shkojne drejt rretheve veriore dhe pikëkalimeve kufitare me Kosoven, por edhe se ne kete qark gjendet Porti i Shëngjinit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, bisedoi me disa prej kandidatëve per deputet, që garojnë në Qarkun e Lezhës.

Në këtë fazë të fushatës elektorale që po zhvillohet në tre rrethet e Qarkut të Lezhës; në Mirditë, Kurbin dhe Lezhë, kandidatët për deputetë, që garojnë për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, po zhvillojnë tubime të shumta me zgjedhësit duke paraqitur alternativat e tyre për katër vitet e ardhshme.

Listën e kandidatëve të Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës e kryeson Edi Paloka, i cili thotë se në takimet e shumta janë terhequr gjithë shqetësimet dhe problematikat e votuesve, të cilat po pasqyrohen në një plan të veçantë zhvillimi për Qarkun e Lezhës. "Në katër vitet e kaluara Lezha hyn në Qarqet ku është bërë një punë vertet kolosale. Mjafton të përmend shifrën prej 2 miliard eurosh që janë kryer investime në Lezhë, pra punë është bërë boll, por kemi ende probleme me ujësjellësin. Ne u kemi premtuar shqiptarëve se do të kenë 24 orë ujë në shtëpitë e tyre dhe ky do të jetë një nga problemet kryesore, sigurisht do të përqendrohemi edhe në pjesë të tjera të infrastrukturës, siç kemi bërë edhe gjatë katër viteve të kaluara, për të përmbydhur të gjitha problemet që ka Shqipëria me infrastrukturën, në këtë aspekt edhe Qarku i Lezhës" thotë kandidati.

Zoti Paloka thotë se qytetarët ende nuk janë njohur me veçoritë e zgjedhjeve të 2009, pasi janë mësuar me sistemin e mëparshëm maxhoritar, që të kenë deputetin e tyre që t’i përfaqësojë direk në Parlament. "Jemi përpjekur në fakt të bëjmë një ndarje edhe në grupin tonë të deputetëve, për t’ju bërë të qartë qytetarëve se do të përfaqësohen dhe nga emra konkret në Parlamentin shqiptar. Edhe unë, që jam kryetar i grupit të deputetëve, do të kem pjesën time të përcaktuar dhe do të mbuloj gjithë qarkun, por është mirë që qytetarët të mësohen se sistemi ka ndryshuar, pra nuk ka më një system maxhoritar, ku ka një deputet për një zonë të caktuar . Ne do të jemi të gjithë deputetë të Qarkut të Lezhës, pra të gjithë ata që do të fitojnë, që unë shpresoj të jenë pesë, do të përfaqësojnë Qarkun e Lezhës në përgjithësi".

Listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për Qarkun e Lezhës e kryeson kandidati Gjokë Jaku. Zëri i Amerikës i ofroi disa herë hapësirën e nevojshme, por kandidati socialist nuk ishte i gatshëm për të komentuar. Ndërkohë, grupimi Poli i Lirisë përfaqësohet në Qarkun e Lezhës me kandidatin për deputet të Partisë Demokristiane, zotin Ndue Shpani, i cili thotë se po i paraqet elektoratit një plan të qendrueshëm për zhvillimin e turizmit. "Programi ynë i zhvillimit për Qarkun e Lezhës bazohet në resurset natyrore, pra do të mbështetet tek turizmi. Tashmë ne kemi në dorë dhe po pergatisim një plan zhvillimi për turizmin, sidomos bregdetar. Është një investim për një kohë mjaft të gjatë dhe nuk është si investimet e deritanishme afatshkurtëra".

Një nga kandidatet femra, që garon në Qarkun e Lezhës, është Dile Nikolla, kandidate e Ballit Kombëtar, një mësuese e gjuhës angleze, me përvojë të gjatë në shoqatat joqeveritare. Ajo thotë se më shumë se 700 gra janë të papuna në qytetin e Lezhës dhe se do të luftojë për përfaqesimin e tyre. "Do të luftoj shumë që herën tjetër gratë të mos jenë vetëm 30 përqind në listat e kandidatëve për deputetë, por te jenë 50 përqind. Do të luftoj që gratë të garojnë me vlera dhe të mos jenë preferenca e kryetarëve të partive të tyre, por të jenë gra dhe vajza që kërkojnë vetë të garojnë si kandidate në bazë të vlerave të tyre."

Lezha është një nga qarqet e rëndësishme të Shqipërisë, pasi përmes saj përshkohen rrugët drejt zonës veriore të vendit dhe pikkalimeve kufitare me Kosovën si dhe në territorin e saj gjendet edhe Porti i Shëngjinit. //rd//

XS
SM
MD
LG