Lidhje

NATO vendos për pakësimin e trupave të saj në Kosovë


Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s ranë dakord të pakësojnë numrin e forcave paqeruajtëse në Kosovë me një të tretën, duke thënë se gjendja e sigurisë në këtë vend është përmirësuar.

Sekretari i Përgjithshëm Jap de Hup Skefer njoftoi arritjen e marrëveshjes në një takim të ministrave në Bruksel. Ai nuk dha një datë specifike për pakësimin e trupave por tha se pret që kjo të përfundojë deri në janar.

Aleanca e NATO-s dërgoi paqeruajtës në Kosovë në vitin 1999 nën mandatin e Kombeve të Bashkuara pas fushatës së bombardimeve kundër forcave serbe.


Hollësi mbi zhvillimin e takimit në Bruksel

Zyrtarët e NATO-s e quajtën vendimin një përgjigje të situatës së stabilizuar në Kosovë dhe lanë të kuptohet se ka mundësi të bëhen shkurtime të tjera. Aleanca e NATO-s dërgoi paqeruajtës në Kosovë në vitin 1999 nën mandatin e Kombeve të Bashkuara pas fushatës së bombardimeve kundër forcave serbe.

Ministrat e mbrojtjes thanë se numri i trupave të Natos në Kosovë do të pakësohet me një të tretën duke marrë parasysh përmirësimin e situatës së sigurisë. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung tha se shtritja e misionit të EULEX-it dhe zgjerimi i forcës së sigurisë së vetë Kosovës do të lejojë pakësimin e forcës.

"Jam i kënaqur që misioni i EULEX-it në Kosovë ka arritur në 2 mijë e 500 dhe shpresojmë që deri në fund të shtatorit Forca e Sigurisë së Kosovës të arrijë në 2 mijë e 500 trupa. Mendoj se mund të fillojmë të zvogëlojmë praninë e KFOR-it deri në fund të vitit, nga 14 mijë e 400 në 10 mijë ushtarë".

Aleanca e Natos ka pakësuar gradualisht kontigjentin e saj ushtarak në Kosovë gjatë 10 vjetëve të fundit. Ministri Jung sugjeroi se shkurtime të mëtejshme të forcës së Natos mund të ndodhin gjatë 2010-ës në se situata e sigurisë vazhdon të jetë e qëndrueshme. Sekretari i Përgjithshëm i Natos Jaap de Hoop Skefer ritheksoi se tërheqja e trupave do të bëhet e koordinuar nga të gjitha palët.

"Tërheqja do të bëhet sipas parimit – bashkë në Kosovë dhe bashkë jashtë saj. Jemi të kënaqur që edhe pse vendimi për tërheqjen e trupave nuk u bë i koordinuar, lëvizja e tyre do të jetë e tillë. Mendoj se bashkëpunimi mes Natos dhe Bashkimit Evropian po shkon mirë në Kosovë".

Disa diplomatë kanë sugjeruar se një pjesë e trupave në Kosovë duhet të ridislokohen në Afganistan për të forcuar praninë evropiane atje. Por shumë evropianë kundërshtojnë megjithatë dërgimin e më shumë trupave në Afganistan në një kohë krize ekonomike dhe zvogëlimit të buxheteve për mbrojtjen.

Sot paradite ministrat e mbrojtjeve nga tetë vendet që kontribuojnë me trupa në rajonin e dhunshëm jugor të Afganistanit u takuan në Holandë për të diskutuar rreth luftës kundër kryengritjes talebane. //iç//

XS
SM
MD
LG