Lidhje

Arrestohet aktivisti rus i të drejtave të njeriut Aleksei Sokolov


Një grup aktivistësh të njohur rusë të të drejtave të njeriut publikuan kohët e fundit një deklaratë ku protestonin arrestimin e Aleksei Sokolovit, një aktivist i lëvizjes civile në qytetin Jekaterinburg. Si një mbrojtës i fuqishëm i të drejtave të të burgosurve në Rusi, Sokolov ka bërë të njohura rrahjet çnjerëzore dhe kushtet e vështira në burgjet e vendit. Kohët e fundit Sokolov u arrestua nën akuzat për vjedhje të armatosur dhe përballet me 15 vjet heqje lirie në sistemet e burgimit që kërkoi të reformonte. Por akuzat kundër aktivistit mund të jenë fallso.

Alexei Sokolov kishte filluar të pyeste: përse disa dalin nga burgjet ruse invalidë? Përse nënat varrosin djemtë e tyre që vdisnin gjatë hetimeve? Përse në çertifikatat e vdekjeve arsyeja kryesore ishte pneumonia, ndërsa trupat e të vdekurve kishin hemoragji apo kocka të thyera?

Sokolov i shtroi këto pyetje në videon e tij të vitit 2007 të titulluar –“Fabrikë Torturash apo një Eksperiencë Edukative”. Dokumentari 45 minutësh jepte pamje të rrahjeve që ndodhnin në burgjet ruse. Sokolov që drejtonte një grup civil për monitorimin e kushteve në burgje, ia kishte kaluar të dhënat e tij organizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International.

Sokolov u arrestua më 13 maj nën akuzat se kishte marrë pjesë në një vjedhje me armë pesë vjet më parë, bazuar në dëshmi nga një i burgosur për krime. Gruaja e tij Gula Sokolova, thotë se arrestimi ndodhi ndërsa ai po shëtiste me vajzën e tyre dy vjeçare.

Frederika Behr e zyrës së Amnesty International në Moskë thotë se ka marrë njoftime nga të burgosur në mbarë Rusinë që thonë se janë torturuar apo u janë premtuar kushte më të mira burgimi në shkëmbim të dëshmive të rreme.

“Është e justifikueshme të hetohet nëse këto deklarata të bëra kundër tij janë të vërteta; gjithashtu duhet të shqyrtohen shumë deklarata të bëra nga njerëz që thonë se iu është kërkuar të hedhin baltë mbi Alexei Sokolovin”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme për Rajonin Sverdlovsk, Valeri Gorelikh, i tha Zërit të Amerikës se nuk ka lidhje mes aktivitetit për të drejtat e njeriut të Sokolovit dhe akuzave kundër tij. Nuk është caktuar ende një datë për gjyqin. Bashkëshortja e Sokolovit i tha Zërit të Amerikës se ai kishte marrë kërcënime të vazhdueshme që nga dokumentari, dy vjet më parë.

“Në përpjekje për të vendosur rendin, për të cilën presidenti Dmitri Medvedev flet kaq shumë, burri im mund të dënohet me 15 vjet heqje lirie”.

Sokovola shton se autoritetet e paralajmëruan kohët e fundit bashkëshortin e saj se do të dilte nga burgu si invalid. Në dokumentarin e tij, Sokolov dënon sistemin në burgun IK-2 në afërsi të Jekaterinburgut.

“Shumë nga ankesat dhe deklaratat vijnë në organizatën tonë përmes kanaleve jozyrtare pasi të burgosurit kanë frikë të shkruajnë zyrtarisht. Cilido që thotë të vërtetën në një ankesë zytare apo deklaratë rrihet keq ose i bëhet kaq shumë presion psikologjik saqë thyhet dhe mohon çdo gjë”.

Frederika Behr thotë se Sokovol ka të ngjarë të ketë armiq në qëndrat e burgimit, përfshi disa që kanë humbur vendet e punës pasi u janë ekspozuar rrahjet që kanë bërë. Behr thotë se ndërsa një dhunë e tillë është e zakonshme në Rusi, ajo nuk është e sanksionuar nga asnjë organ ligjvënës apo gjykatë.

“Gjykatësi vendosi se dhjetë vjet janë të mjaftueshëm për të dënuar një krim. Ai nuk shton aty rrahjet, ndalimin e vizitave nga të afërmit dhe keqtrajtime të tjera çnjerëzore”.

Behr thotë se Sokolov ka punuar me Amnesty International dy vitet e fundit dhe njihet si një kontrubues serioz. Aktivistë të shumtë të të drejtave të njeriut në Rusi kanë nxjerrë një deklaratë ku shprehin zemërim mbi ato që i cilësojnë si akuza për të futur në kurth Sokolovin. Nënshkruesit e deklaratës përfshinë drejtuesen e Grupit të Helsinkit në Moskë, Ludmilla Aleksejeva dhe drejtorin e Organizatës për të Drejtat e Njeriut në Rusi, Lev Ponomarev. //iç//

XS
SM
MD
LG