Lidhje

Tharja e trurit të Uollstritit



Punonjësit e huaj të kualifikuar, që dëshirojnë të punojnë në Shtetet e Bashkuara, mund ta kenë më të vështirë për shkak të kufizimeve të reja qeveritare, të cilat kanë të bëjnë me marrjen në punë të punonjësve të huaj. Kufizimet janë pjesë e paketës ekonomike të qeverisë për të shpëtuar bankat investuese me probleme.

Shumë studentë të huaj, të regjistruar në shkolla biznesi në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë bërë investime të mëdha për arsimimin e tyre në këtë vend, me shpresë se shumat e shpenzuara në këtë drejtim do t’u sjellin atyre një ditë oferta për punë të mirë nga ndonjë firmë amerikane.

Nazli Oguzsimsaroglu, nga Turqia, ishte një prej këtyre studentëve. Kohët e fundit ajo u diplomua nga një shkollë prestigjoze biznesi dhe pranoi një ofertë pune në bankën gjigande të investimeve, Merrill Lynch.

“Një prej arsyeve që pranova ofertën e bankës Merrill Lynch është me siguri programi i kualifikimit, që ata kanë. Edhe bankat e vogla përpiqen të marrin në punë njerëz që kanë pasur përvojë në kompani si kjo, sepse dihet se sa prestigjoze është kjo bankë”.

Por oferta që iu bë asaj nuk zgjati shumë. Ashtu si disa banka të mëdha investimesh, Merrill Lynch, u përball me rënie e ndjeshme të vlerës së aksioneve, ndërsa përhapej kriza financiare në Shtetet e Bashkuara. Bank of America bleu bankën Merrill Lynch.

Pastaj Bank of America mori hua në bazë të programit qeveritar për të shpëtuar bankat e prekura nga kriza financiare. Dhe me këtë hap, Bank of America u bë objekt i rregullave që kufizojnë vizat H1B, dokumenti i duhur për të marrë në punë të huajt.

Vivek Wadhwa punon në një program të fakultetit juridik të Universitetit Harvard. Ai thotë se këto kufizime jo vetëm që janë ksenofobi, por ato po shkaktojnë “migrimin e trurit”, pikërisht në kohën kur ekonomia amerikane ka nevojë më shumë për talente e novacione.

“Problemi me këtë ligj është se ne po i themi botës se kur jemi në vështirësi ne i mbyllim dyert. Më të mënçurit dhe më të sukseshmit gjejnë mundësi diku gjetkë. Ata preferojnë të shkojnë në Australi, ku mund të punojnë për pak vjet deri sa të shlyejnë borxhet e shkollës ose hapin një firmë të teknologjisë në Kanada. Kjo është humbje e madhe për Amerikën”.

Zoti Wadhwa ka bërë kërkime dhe ka arritur në përfundimin se rreth 25 për qind e kompanive amerikane të teknologjisë u krijuan nga imigrantë. Ai thotë se këto kërkime mbështesin teorinë se punonjësit e huaj shpesh krijojnë vende pune për amerikanët, dhe nuk ua marrin ato. Kurse Nazli Oguzsimsaroglu nxorri një mësim të vlefshëm si pasojë e humbjes së punës që ishte ëndër për të.

“Asnjëherë nuk e ke të sigurtë se çdo gjë do të jetë në rregull. Me pak fjalë, duhet të marrësh masat e nevojshme për të mos mbetur pa punë”.

Për të, kjo do të thotë që të regjistrohet edhe për një simestër tjetër në shollë dhe të vazhdojë të kërkojë punë. //rd//

XS
SM
MD
LG