Lidhje

Vidhen skica të Pikasos nga muzeu i Parisit


Gazetat franceze sot mbizotëroheshin nga titujt mbi vjedhjen e një blloku me skica të Pablo Pikassos nga një museum i Parisit, që mban emrin e piktorit. Një zyrtar i policisë tha se blloku mendohet se ka vlerën 8 milionë Euro, apo 11 milionë dollarë. Vjedhja e albumit me kopertinë të kuqe, me 33 vizatime të Pikasos u zbulua dje në mëngjes në Muzeun Pikasos në Paris, por nuk u bë menjëherë e qartë se kur ka ndodhur vjedhja dhe hollësitë e saj. Ministria franceze e Kulturës tha se blloku ishte vjedhur nga një kuti xhami me mbyllje të veçantë, e cila mund të hapej vetëm me një instrument të veçantë.

Në sallën e muzeut ku ishte ekspozuar blloku nuk kishte system survejimi, tha një zyrtar i policisë. Blloku i kuq, në kopertinën e të cilit ishte shkruar me germa të arta “Album”, përmbante skica të Pikasos nga viti 1917 deri në 1924. Nipi i piktorit të famshëm, Oliver Pikaso tha sot se ai ka vlera të jashtëzakonshme historike, sepse “përmban përshtypjet e para të artistit dhe se është është diçka unike”.

Muzeu i Pikasos në lagjen Mare të Parisit i kushtohet piktorit me origjinë spanjolle, që njihet si themeluesi i lëvizjes kubiste. Ai është një nga artistët kryesorë të shekullit të 20-të. Veprat e Pikasos janë vjedhur dhe gjetur disa here, duke u bërë pre e tregut të veprave të vjedhura të artit që çdo vit kap vlerën e miliarda dollarëve.

XS
SM
MD
LG