Lidhje

Këshilli i Sigurimit, dakord për sanksione të reja kundër Penianit


Shtatë fuqi botërore ranë dje dakord rreth një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për zgjerimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut pas provës së saj të nëndheshme bërthamore dhe provave me 6 raketa.

Projektrezoluta dënon veprimet e Koresë së Veriut si shkelje të rezolutave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit dhe vendos sanksione shtesë, si inspektimin e mallrave, embargon e plotë të armëve si dhe sanksione më të forta financiare.

Njoftohet se Kina nuk dëshironte që klauzola për inspektimin e mallrave të ishte e detyrueshme.

Teksti i projektrezolutës është produkt i negociatave intensive mes pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit plus Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Ambasadorja amerikane Suzan Rajs, e cila drejtoi negociatat dhe ua paraqiti projektrezolutën të 15 vendeve anëtare të Këshillit, tha se dokumenti i dërgon një përgjigje “ shumë të fortë, shumë të besueshme dhe shumë me vend” veprimeve të Penianit.

ANALISTËT KOMENTOJNË MBI ARMËT E KORESË SË VERIUT

Presidenti Barack Obama, përballë sfidës së parë të drejtpërdrejtë të administratës së tij nga një vend i ri bërthamor, tha se Amerika dhe aleatët e saj do t’i kundërvihen qeverisë së Koresë së veriut.

"Programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut përbëjnë një kërcënim të madh ndaj paqes dhe sigurisë në botë dhe unë e dënoj me forcë veprimin e tyre të papërgjegjshëm.”

Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, Admiral Mike Mullen, tha se shikon një qendrim luftënxitës në rritje të Koresë së Veriut dhe një sfidë po ashtu në rritje që ajo po i bën ligjit ndërkombëtar.

"Të gjitha këto flasin për një vend që mendoj se vazhdon të destabilizojë rajonin dhe që në vështrimin afatgjatë, nëse vazhdon përpjekjet për krijimin e armës bërthamore, përbën një kërcënim të rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara."

Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera reaguan me zemërim ndaj provës së re bërthamore dhe provave të tjera me raketa të Koresë së Veriut, të cilat janë dënuar gjerësisht.

Analistë si Richard Bush, Drejtor i Qendrës për Politikën ndaj Azisë Verilindore, thotë se Koreja e Veriut është një vend i dobët, çka e bën programin e saj bërthamor mjaft të rëndësishëm për qeverinë e Penianit.

"Koreja e Veriut beson me sa duket se ajo kërcënohet seriozisht nga Shtetet e Bashkuara. Ajo beson se ka nevojë për një mjet frenues ndaj këtij kërcënimi. Në fakt, armët bërthamore janë një mjet ideal frenimi për vendet e varfëra."

Trupat e Koresë së Jugut dhe ato amerikane kanë rritur nivelin e gatishmërisë në gadishullin korean pas kërcënimit të Penianit se nuk do ta respektojë Traktatin e Armëpushimit të vitit 1953 që i dha fund Luftës Koreane.

Komanda e Përbashkët e këtyre forcave nuk e ka ngritur nivelin e gatishmërisë që nga viti 2006, kur Koreja e Veriut kreu provën e saj të parë bërthamore.

Majkëll O’Hanlon, ekspert i politikës së jashtëme në Institutin Brukings të Uashingtonit, thotë se megjithë provën bërthamore të Koresë së Veriut, nuk duket që ushtria e këtij vendi të ketë mjetet për t’i sulmuar fqinjët e saj me armë bërthamore.

"Ta vendosësh armën bërthamore në kokën e një rakete duke e zvogëluar atë aq sa mund të mbahet nga raketa, ta bësh atë t’i rezistojë hyrjes përsëri në atmosferë, qoftë edhe kur është fjala për një raketë me rreze të mesme veprimi, kjo është tepër e vështirë. Mundësia më e madhe është që ose raketa të dështojë ose që ne të jemi në gjendje ta godasim atë me sistemin a mbrojtjes antiraketë.”

Kërcënimi i Koresë së Veriut se do të dalë nga Traktati i Armëpushimit erdhi pas vendimit të marrë nga Jugu për t’ju bashkuar Nismës së Mospërhapjes të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila përfshin interceptimin e anijeve që dyshohet se transportojnë armë të shkatërrimit në masë ose materiale që lidhen me to.

Zoti O'Hanlon thotë se rreziku më i madh nga Koreja e Veriut është se ajo mund t’ja shesë teknologjinë e saj bërthamore vendeve të tjera ose grupeve terroriste.

"Gjëja më shqetësuese është shitja e materialeve bërthamore sepse nëse Peniani sulmon Korenë e Jugut, regjimi i tij merr fund. Nuk besoj se ata kanë ndonjë dyshim për këtë."

Analistët thonë se në të kaluarën, Koreja e Veriut u ka dhënë teknologji armësh vendeve të tjera si Irani dhe Siria.

Karlos Paskual, drejtor për politikën e jashtme në Institutin Brukings, thotë se një përhapje e tillë e armëve, rrit në mënyrë dramatike rrezikun që raketat dhe armët bërthamore të përdoren në luftime.

"Nëse fillojmë të shohim një botë ku armët bërthamore përdoren si armë taktike në teatrin rajonal, atëhere rreziku i përdorimit të këtyre armëve rritet në mënyrë astronomike në krahasim me rrezikun në kohën kur shkatërrimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik ishte i garantuar."

Prova bërthamore e Koresë së Veriut vjen në një klimë pasigurie rreth së ardhmes së udhëheqësit të saj Kim Xhong Il dhe hamendjeve se kush mund ta zerë vendin e tij.

Zoti Kim përsoi një hemoragji cerebrale vitin e kaluar dhe kjo, sipas analistëve, e ka shtyrë atë të përgatisë kalimin e pushtetit në favor të djalit të tij Kim Xhong Un, i cili mendohet se është 26 vjeç.

Denis Uajlder, ish drejtor për Çështjet e Azisë Lindore në Këshillin e Sigurimit Kombëtar amerikan, thotë se kur planet për një kalim të butë të pushtetit të jenë gati, Koreja e Veriut mund të jetë e gatshme të rihapë negociatat për programin e saj të armëve.

"Nuk them se ata do ta bëjnë patjetër këtë, por kur Kim Xhong Il të mendojë se djali i tij është në pozitën e duhur, atëhere ai mund të jetë i gatshëm të hyjë përsëri në negociata me botën e jashtme." //ii

XS
SM
MD
LG