Lidhje

Kosova në 10 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s


Dhjetë vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare dhe fushatës 78-ditëshe të bombardimeve të Aleancës kundër forcave serbe.

Në Kosovë, 12 qershori kremtohet si ditë e lirisë por edhe e kujtimeve për ngjarjet e viteve 1998 - 1999.

Me rastin e dhjetë vjetorit të përfundimit të luftës, udhëheqësit politikë të Kosovës u drejtuan falënderime trupave të NATO-s.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se 12 qershori i vitit 1999 është njëra prej datave më të rëndësishme në historinë e Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se me ndërhyrjen e NATO-s, filloi liria e Kosovës, e cila sot bashkë me dhjetëvjetorin e kësaj ndërhyrjeje kremton edhe njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së saj.

Por kjo ditë nuk ka kuptim të njëjtë për komunitetin serb, përfaqësuesit e të cilit thonë se problemet në Kosovë janë ende të hapura.

Rangjel Nojkiç i Lëvizjes Serbe të Rezistencës, thotë se parakusht për normalizimin e jetës është vlerësimi i shkaqeve dhe pasojave të konfliktit. Sipas tij është fakt se ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç zbatoi një politikë të padrejtë dhe të dëmshme në hapësirat e ish Jugosllavisë, por as bashkësia ndërkombëtare nuk ka sjellë paqen.

Ai thotë se paqja e qendrueshme në Kosovë do të arrihet kur të zgjidhen problemet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Rreth 50 mijë trupa të NATO-s u vendosën në Kosovë dhjetë vjet më parë ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Aktualisht këtu ndodhen 14 mijë trupa dhe deri në fund të vitit ky numër pritet të ulet në rreth 10 mijë. Kjo, sipas autoriteteve të NATO-s, është pasqyrim i përmirësimit të gjendjes në terren.

Megjithatë, edhe autoritetet ndërkombëtare edhe ato vendase janë të një mendimi se vendi ka ende nevojë për praninë ushtarake ndërkombëtare, derisa të jenë ngritur dhe fuqizuar mekanizmat e brendshëm të sigurisë.

Nëntë vjet pas përfundimit të luftës Kosova shpalli pavarësinë e saj të cilën e kanë njohur deri tani 60 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian. //ii

XS
SM
MD
LG