Lidhje

Në prag të zgjedhjeve presidenciale në Iran


Votuesit në Iran hedhin nesër votat për presidentin e vendit. Gara ka vënë përballë njëri-tjetrit presidentin aktual Mahmud Ahmadinexhad dhe një numër kandidatësh të tjerë reformistë dhe konservatorë. Fushata zgjedhore ka qenë një betejë e paparë sulmesh politike.

Fushata presidenciale në Iran po shoqërohet me një nivel përplasjesh thuajse të paparë ndonjëherë në Iran.Fushata 2-javore ka vënë përballë njeri-tjetrit në një garë të fortë presidentin aktual Mahmud Ahmadinexhad dhe sfidues të tij nga e djathta dhe e majta e spektrit politik të Iranit. Ky proces ka marrë tipare të ashpra dhe të paparashikuara, me një numër risish për Iranin, siç shpjegon ekspertja e Lindjes së Mesme Robin Wright:

“Fushatat 2-javore të Iranit janë gjithmonë dramatike. Fushata e sivjetshme është shoqëruar me më shumë risi dhe kritika të hapura se çdo fushatë e mëparshme zgjedhore”.

Për herë të parë janë zhvilluar debate që janë transmetuar drejtpërdrejtë nga televizioni, gjatë të cilave janë bërë një numër sulmesh personale që nuk kanë qenë praktikë e politikës në Iran. Kandidati reformist Mir Hosein Musavi, i cili konsiderohet nga analistët si sfida më e fortë për presidentin, ka fajësuar drejtpërdrejt zotin Ahmadinexhad:

“Në politikën e jashtme, dinjiteti i kombit tonë është cënuar. Gjendja e vendit është keqësuar. Zhvillimi ka ndeshur në probleme dhe kemi hasur në tensione gjithnjë në rritje me vende të tjera”.

Presidenti Ahmadinexhad u përgjigj menjëherë, duke e cilësuar Musavin si kukull të ish-presidentit Ali Akbar Rafsanxhani, të cilin ai e ka akuzuar për korrupsion, si dhe të presidentit reformist Mohamad Khatami:

“Nuk po luftoj kundër një kandidati. Unë po përballem me një kombinim të udhëhequr nga Rafsanxhani dhe në bashkëpunim me Musavin dhe Khatamin”.

Ajo që është edhe më e veçantë, ka qenë pjesëmarrja e bashkëshortes së zotit Musavi, Zahra Rahnavard, pedagoge e shkencave politike, në fushatë. Ajo u bë objekt sulmesh nga presidenti i cili e akuzon për shkelje akademike. Analistja Robin Wright thotë se shfaqja e sulmeve personale po ndodh pasi vëmendja është tek presidenti aktual.

“Ai është problemi më i madh. Të gjithë kandidatët po i hartojnë programet e tyre në përgjigje të atyre që i kanë identifikuar si dështime të Ahmadinexhadit në ekonomi dhe problemeve në politikën e jashtme”.

Një tjetër konkurent, Mehdi Karoubi, ka gjasa të ndajë votën reformiste, ndërkohë që Mohsen Rezaei u ofron konservatorëve një alternativë ndaj Presidentit Ahmadinexhad. Karim Sadjapour i Institutit Carnegie thotë se, duke pasur parasysh kufizimet e teokracisë iraniane,

“Shumë veta, nëse do të tregohesh optimist, thonë se këto zgjedhje janë demokratike ose se sistemi iranian është më demokratik se shumë vende të tjera në Lindjen e Mesme”.

Anketa e kohëve të fundit nga Fondacioni Amerika e Re, një organizatë joqeveritare, arrin në përfundimin se Presidenti Ahmadinexhad kryeson momentalisht, ndërkohë që shumë votues janë të pavendosur.

Ken Ballen i organizatës Një e Ardhme pa Terror, e cila bashkëpunoi për anketën, thotë se rezultatet tregojnë se votuesit iranianë nuk fajësojnë Ahmadinexhadin për problemet ekonomike. Por ai shton se ata kërkojnë liri më të madhe, më shumë shkëmbime me botën dhe më tepër transparencë në qeverisje.

“Edhe nëse e mbështesin Presidentin Ahmadinexhad, kjo nuk nënkupton se nuk i mbështesin këto pikësynime. Nëse ai rizgjidhet, nuk është mandat për politikat që ka ndjekur deri tani. Është një mandat i ri. Nëse ai ua vë veshin kërkesave të votuesve, qoftë atyre që e mbështesin apo jo, kjo do të përbënte ndryshim”.

Pjesëmarrja në votime do të jetë vendimtare dhe shumë nga analistët parashikojnë se një pjesëmarrje e lartë do të ndihmonte kandidatin Musavi. Por ata shtojnë se askush nuk mund të ketë parashikime të garantuara. Në vitin 2005, për çudi të pjesës dërrmuese, kryetari i bashkisë së Teheranit, Mahmud Ahmadinexhad, në atë kohë një politikan thuajse i panjohur, mundi kandidatët më të fortë si Ali Akbar Hashemi Rafsanxhani, për t’u bërë president i Iranit. //iç//

XS
SM
MD
LG