Lidhje

OBSH shpall epidemik gripin e shkaktuar nga virusi H1N1


Organizata Botërore e Shëndetësisë, në një takim urgjent në Gjenevë,shpalli epidemik gripin A-H1N1, që vazhdon të përhapet.Kjo është hera e parë në 40 vjet e një përcaktimi të tillë.

Drejtorja e përgjithshme e OBSH-së, Margaret Chan njoftoi sot se agjencia e Kombeve të Bashkuara po e ngre paralajmërimin nga faza 5 në fazën 6, pas takimit të ekspertëve në Zvicës.

Zyrtarët vunë në dukje se shpallja e gripit epidemik nuk do të thotë se sëmundja është bërë më e rëndë, por është shtuar numri i njerëzve të infektuar në rajone të ndryshme të botës.

Zonja Chan tha e virusi ka të ngjarë të mbetet me nivel të moderuar rrezikshmërie, të paktën në ditët e para të epidemisë, megjithatë ajo paralajmëroi se virusi mund të ndryshojë.Ajo tha se zyrtarët nuk presin ndonjë rritje në numrin e të sëmurëve të pashërueshëm, që ka qënë relativisht i vogël nëpër botë. Zonja Chan tha se janë njoftuarrreth 30 mijë raste infeksioni në 74 vende të botës.

SHBA përpiqen të marrim masa ndaj këtij viruasi

Virusi i ri A-H1N1 vazhdon të përhapet në gjithë botën. Shumica e vdekjeve kanë ndodhur në Meksikë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar më shumë se gjysmën e rasteve në gjithë botën. Ndërkohë, zyrtarë amerikanë të shëndetsisë po përpiqen të masin përgjigjen ndaj këtij virusi. Këtu në Uashington, punonjësit qeveritarë po ndjekin nga afër virusin dhe po bëjnë plane për një epidemi të mundshme.

Kjo është një prej qendrave të komandës, ku punonjësit e qeverisë amerikane ndjekin përhapjen e virusit A-H1N1. Ata punojnë pa pushim për të mbledhur të dhëna, për t’ua kaluar ato agjencive të tjera dhe për të hartuar plane për përballimin e skenarëve të ndryshëm të mundshëm nëse gjendja përkeqësohet.

“Përparësia kryesore është që Departamenti i Mbrojtjes të jetë në gjendje të sigurojë transportin e duhur aty ku mund të ketë një numër të madh infeksionesh”.

Punonjësit në Qendrën Strategjike pranë Departamentin për Shërbimet Shëndetsore dhe Humane në Uashington ka kordinuar përgjigjen e qeverisë federale ndaj gripit të derave që kur qeveria bëri një paralajmërim publik në muajin prill.

Që prej atëhere, virusi A-H1N1 është përhapur në çdo shtet amerikan, duke prekur qindra njerëz. Presidenti Obama tha se ndarja e informacionit është shumë e rëndësishme për ta mbajtur gjendjen nën kontroll.

“Ne po sigurohemi se në rastin më të rëndë, ne mund të përballojmë si duhet këtë sëmundje, pra punonjësit qeveritarë po punojnë me biznese dhe individë si dhe sektorin privat për të parandaluar një epidemi të mundshme”.

Tom Sizemore, i cili menaxhon operacionet e përditshme në Qendrën Strategjike, thotë se ka plane për raste të ndryshme emergjente për shëndetin publik, por ata nuk kishin pritur që një virus i tillë ta kishte origjinën në Meksikë.

Për të ngadalsuar përhapjen e epidemisë, disa komunitete kanë mbyllur shkollat dhe u kanë kërkuar punonjësve të qëndrojnë në shtëpi nëse kanë simptoma të ngjashme me gripin. Qeveria vuri gjithashtu kufizime udhëtimi për në Meksikë, të cilat tani janë hequr. Punonjësit e shëndetsisë po e përqëndrojnë vëmëndjen në mbledhjen dhe verifikimin e rasteve të reja, ndërsa ndjekin historinë e epidemisë. Por kritikët thonë se masat e marra përbëjnë një reagim të tepëruar me që virusi i tanishëm A-H1N1 ishte më pak vdekjeprurës se sa u mendua më parë. Zoti Sizemore nuk është dakord me kritikët dhe thotë se një përgjigje agresive është e nevojshme për të minimizuar vdekjet.

“Asnjeri nuk do që të ndjehet fajtor për mos marrjen e masave të mundshme sepse druhet nga kritikët, dhe si pasojë njerëzit mund të vdesin”.

Zyrtarët botërore të shëndetsisë janë të alarmuar sepse njerëzit nuk e kanë të zhvilluar imunitetin ndaj një virusi të ri, kombinim i disa viruseve të gripit. Me shtimin e numrit të të prekurve nga ky virus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetsisë thotë se duket që virusi i gripit A-H1N1 ka arritur përmasat e një epidemie.

Në Qendrën Strategjike pranë Departamentin për Shërbimet Shëndetsore dhe Humane, zoti Sizemore thotë se kolegët e tij po ndjekin përhapjen e këtij virusi në vende të Amerikës Latine, si Kili, Brazili dhe Peruja, sepse në ato vende është dimër, pikërisht stina kur gripi arrin kulmin.

“Në kulmin e dimrit, këto vende do të përballen me gripin sezonal si dhe me virusin e gripit A-H1N1. Ekziston mundësia që gripi A-H1N1 të ndryshojë dhe të rëndohet. Nëse kjo ndodh, ne duam ta ndjekim një gjë të tillë”.

Ndërkohë, studjuesit po nxitojnë të krijojnë një vaksinë, proces ky që mund të zgjasë deri në 5-6 muaj. Sapo vaksina të jetë gati, Organizata Botërore e Shëndetsisë thotë se vende të ndryshme do të vendosin se kush do të vaksinohet së pari. //iç//

XS
SM
MD
LG