Lidhje

Shqipëri: Qeveria dhe opozita replikojnë për listat e votuesve


Në kulmin e fushatës zgjedhore qeveria dhe opozita po shkëmbejnë replika jo vetëm për procesin e kartave të identitetit, por tani edhe për saktësinë e listës së votuesve. Partia Socialiste thotë se ka gjetur në lista një numër të konsiderueshëm personash që kanë ndërruar jetë, megjithatë figurojnë përsëri si votues për zgjedhjet e 28 qershorit.

Partia më e madhe opozitare deklaroi se në lista gjenden 5 mijë persona mbi 100 vjeç dhe 3 mijë e 300 persona mbi 110 vjeç. Po sipas Partisë Socialiste, në lista gjenden 17 mijë qytetarë mbi 90 vjeç, fakte që sipas saj, tregojnë se listat nuk janë pastruar, megjithë teknologjitë moderne që janë përdorur për hartimin e tyre.

Por ministria e Brendshme reagoi menjëherë ndaj kritikave, duke deklaruar se listat e zgjedhësve në Shqipëri janë ndërtuar mbi bazën e një regjistri të ri elektronik të standarteve më të mira europiane. Në deklaratën e ministrisë së Brendshme theksohet se për herë të parë në historinë e proceseve zgjedhore në Shqipëri, lista paraprake e votuesve u publikua 4 muaj përpara ditës së zgjedhjeve dhe çdo qytetar apo subjekt ka patur të gjitha mundësitë për verifikime dhe korigjime të detajeve në to.

Përveç të tjerave, ministria e Brendshme deklaroi se lista përfundimtare e zgjedhësve është hartuar dhe konfirmuar nga çdo kryetar i çdo njësie të pushtetit vendor. Ndërsa për personat që nuk jetojnë më, ligji thotë se ata duhet të deklarohen të vdekur nga të afërmit e tyre, përndryshe askush nuk mund t’i heqë ata nga Regjistri Kombëtar i Shtetasve.

Nga ana tjetër, ministria e brendshme bëri të ditur se vetëm pas datës 15 qershor, kur të mbyllet procesi i aplikimeve për letërnjoftimet e reja, ajo do t’i dorëzojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe partive politike listat e plota të njerëzve se kush aplikoi dhe kush jo.

Identifikimi i votuesve është tema më e debatuar e këtyre zgjedhjeve që po shoqëron gjithë fushatën. Deklaratat e palëve janë kontradiktore, duke përgënjeshtruar pa ndërprerë njëra-tjetrën. Partia Socialiste thotë se mosprodhimi i kartave të identitetit për të gjithë po i rrezikon zgjedhjet, ndërsa qeveria deklaron vazhdimisht se procesi ka ecur shumë mirë, dhe se zyrat e aplikimit punojnë nga 8 e mëngjesit deri në 10 të mbrëmjes. //ii

XS
SM
MD
LG