Lidhje

Incidenti i parë i fushatës në Shqipëri


Ka qenë rreth orës 9 të mëngjesit kur, sipas policisë, Artan Zeka, 25 vjec simpatizant i Partisë Demokratike dhe Skënder Balla, simpatizant i Partisë Socialiste janë grindur ashpër me njëri tjetrin në këtë lokal, në fshatin Qerret pranë Shijakut, duke përdorur fjalë fyese. Një grindje e cila po sipas policisë ka patur si shkak simbolet partiake dhe që ka përfundur me vrasjen e Zekës, pasi Balla është larguar dhe është rikthyer në lokal me në dorë një kallashnikov duke qëlluar ndaj 25 vjeçarit. Zeka i cili ka marrë plagë të rënda është dërguar menjëherë në spitalin e qytetit të Durrësit ku ndërhyrja e mjekëve nuk ka bërë të mundur ta shpëtojnë atë.

Ngjarja e sotme është më e rënda e kësaj fushate elektorale, e cila deri tani kishte shënuar incidente të izoluara. Përfaqësues të partisë demokratike fillimisht lëshuan akuza të drejtpërdrejta ndaj Partisë Socialiste. Por kryetari i saj Edi Rama, mohoi sot pasdite, çdo lloj lidhjeje me agresorin Skënder Balla, person me precedent penal: "Kërkojmë dënimin maksimal të autorit, duke nënvizuar me forcë, se nuk ka asnjë lidhje me partinë socialiste, dhe se përfshirja e emrit të Partisë socialiste në këtë ngjarje, është një spekulim i ulët që ne e refuzojmë me përbuzje".

Kryetari socialist ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës foli për një ngjarje tragjike. Ai shtoi se politika është një hapësirë ku "nuk ka arsye për të cënuar dinjitetin e njëri tjetrit e jo më integritetin fizik", theksoi zoti Rama

Kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për ngjarjen i është drejtuar me një thirrje të gjithë anëtarëve dhe militantëve të partive politike "të distancohen nga aktet kriminale dhe të përkushtohen në një fushatë zgjedhore të denjë për njerëz të lirë", shprehet ai. Zoti Berisha kërkon që të gjithë shqiptarët të ruajnë gjakftohtësinë dhe vetë përmbajtjen ndërsa ka bërë thirrje që në mitingjet e partisë demokratike të mbahet një minutë heshtje për vrasjen e Artan Zekës. //rd//



XS
SM
MD
LG