Lidhje

Kosovë: Dhuna në familje vazhdon të jetë problem


Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje që hartimi i ligjeve për këtë çështje të përcillet me marrjen e masave që do të siguronin zbatimin e tyre. Komentet e tyre janë bërë në kuadër te debateve për plotësimin e infrastrukturës ligjore për trajtimin e dhunës në familje, e cila në formën më të shpeshtë manifestohet si dhunë ndaj gruas.

Shkalla e dhunës ndaj gruas, vlerësohet e lartë pavarësisht ndryshimit të statistikave nëpër vite. Zëdhënësi i policisë së Kosovës Arbër Beka thotë se statistikat zyrtare flasin për rënie të numrit të rasteve të raportuara të kësaj forme të dhunës.

“Në vitin 2006 kemi pasur mbi 1300 raste të raportuara , në vitin 2007 kanë qenë 1077 raste kurse në vitin 2008 akoma më pak 1032 raste të raportuara , prapë se prapë këto shifra janë shqetësuese edhe për policin e Kosovës dhe për institucione tjera, në secilin stacion policor në secilën drejtori rajonale ekzistojnë hetuesit primar të njësitit kundër dhunës familjare të cilët merren pikërisht me rastet e raportuara të dhunës familjare”. tha zoti Beka


Por, zoti Beka thotë se shifrat mund të mos e pasqyrojnë gjendjen reale dhe nuk përjashtohet mundësia që shumë raste të mos raportohen kurrë.

Arjeta Rexhaj nga qendra për hulumtime dhe studime gjinore tërheqë vërejtjen se mos raportimi i dhunës është pasqyrim i frikës për pasojat e që mund të ketë publikimi i rasteve për vetë viktimat e saj.

Një rekomandim i fuqishëm që duhet të ju jepet institucioneve shtetërore dhe momentin kur bëhet ligji që duhet me qenë pjesë e ligjit është momenti i ri viktimizimit ngase ne nuk i kemi të gjitha institucionet e përgatitura se si duhet ta presim viktimën dhe ku duhet të drejtohet viktima ose në cilat organe direkte të dërgohet viktima për raportimin e dhunës”, tha Arjeta Rexhaj nga qendra për hulumtime dhe studime gjinore.

Kujtim Kërveshi nga Instituti për studime dhe zhvillime të politikave, KIPRED thotë se hartimi i ligjeve që do të adresojnë dhunën në familje nuk është çështja kryesore.

“Ne nuk mund të matemi me numrin e ligjeve të miratuara por duhet të matemi me zbatueshmërinë e ligjeve d.m.th në këtë logjik dhe institucionet që momentalisht janë duke u përkujdesur për kompletimin e kësaj infrastrukture duhet të kenë kujdes këtu, përveç kësaj duhet të kenë kujdes edhe në kompletimin e gjithë infrastrukturës tjetër që lidhet, në Kosovë ne nuk kemi një ligj që e trajton me kujdes ngacmimet seksuale , na duhet kodi për të drejtat e fëmijëve që është standard i praktikave më të mira Evropiane , nuk është vetëm ky ligj ai që po i mungon kësaj infrastrukture por janë edhe iniciativat të tjera që duhet ta kompletojnë gjithë këtë dhe fund të fundit ne Kosovë nuk duhet ta marrim dhunën në familje vetëm si dhunë e mashkullit ndaj femrës , dhuna në familje shfaqet në të gjitha format e mundshme “ tha zoti Kërveshi.

Një ndër problemet më të theksuara është edhe ai i mungesës së një programi të mirëfilltë të mbrojtjes së dëshmitarëve, gjë që ka penguar jo vetëm trajtimin e dhunës në familje, por edhe të shumë formave të tjera të krimeve në Kosovë. //mm//

XS
SM
MD
LG