Lidhje

Gibs: SHBA po e vëzhgojnë me kujdes gjendjen në Iran


Shtetet e Bashkuara thonë se po e vëzhgojnë me kujdes gjendjen e krijuar në Iran pas zgjedhjeve presidenciale të debatueshme duke përfshirë njoftimet për parregullsi në votime.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs tha se Shteteve të Bashkuara u ka bërë përshtypje “debati i fuqishëm dhe entusiazmi” që krijuan zgjedhjet sidomos tek të rinjtë iranianë.

Nga ana e saj, Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton tha dje në Kanada se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që rezultati i zgjedhjeve iraniane të pasqyrojë “vullnetin dhe dëshirën e popullit iranian”.

Ajo tha se ashtu si edhe vendet e tjera të botës, Shtetet e Bashkuara po presin dhe po vëzhgojnë për të parë se cilat do të jenë zhvillimet e ardhshme në Iran.

Ministri i jashtëm kanadez, Lorenc Kanon, i cili ndodhej me zonjën Klinton, tha se vendi i tij është “i shqetësuar thellë” nga njoftimet për parregullsi në votime në Iran. Ai u bëri thirrje autoriteteve iraniane të bëjnë një numërim të drejtë dhe transparent të votave.

REAGIME TË TJERA NDËRKOMBËTARE

Reagimet ndërkombëtare ndaj rizgjedhjes së presidentit iranian Mahmoud Ahmadinexhad kanë qenë të ndryshme.

Bashkimi Europian tha se është i shqetësuar rreth parregullsive që thuhet se ka patur në votime por shtoi se shpreson që rezultati i zgjedhjeve do të çojë në një rifillim të dialogut mbi programin e debatueshëm bërthamor të Iranit.

Në një deklaratë të Bashkimit Europian thuhej se kryesia e BE-së pret që qeveria e re iraniane të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Liberman tha se fitorja e zotit Ahmadinexhad nënkupton se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë pa kompromis për të mos lejuar një Iran bërthamor, për të ndalur mbështetjen që ai i jep grupeve terroriste dhe punën e tij për të minuar qendrueshmërinë në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Amr Musa e uroi zotin Ahmadinexhad dhe tha se shpreson në përmirësimin e marrëdhënieve mes Iranit dhe botës arabe.

Sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve, Presidenti i Sirisë, Bashar al Asad dhe grupet militante palestineze, Hamas dhe Xhihadi Islamik, gjithashtu i shprehën urime Presidentit Ahmadinexhad. Irani është një mbështetës i fortë i Hamasit.

Fushata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Iran tha se rezultati i zgjedhjeve duket se është manipuluar në favor të zotit Ahmadinexhad dhe rekomandoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja.//ii

XS
SM
MD
LG