Lidhje

Kosovë: Sot, njëvjetori i Kushtetutës së Republikës


Ish ndërmjetësuesit perëndimorë në negociatat për statusin e Kosovës, do të marrin pjesë sot në manifestimet me rastin e njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ish i dërguari i Bashkimit Evropian, diplomati gjerman Wolfgang Ishinger tha mbrëmë se rrjedha e procesit politik pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës i nxori të pavërteta paralajmërimet se ajo mund të krijonte dhunë dhe vështirësi.

Ambasadori gjerman Volfgang Ishinger, një nga ndërmjetësuesit në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit për statusin e Kosovës, tha mbrëmë në Prishtinë se vendimi i NATO-s për shkurtimin e trupave në Kosovë tregon se aleanca është e kënaqur me zhvillimet në vend.

Ai i bëri komentet në fillim të vizitës së tij në Prishtinë për manifestimet që do të mbahen sot me rastin e një vjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ish kryenegociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës Marti Ahtisari pritet të flasë sot në Parlamentin e Kosovës, me rastin e njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Me të do të jenë edhe diplomatë të tjerë si ish shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Soren Jessen-Petersen.

Ambasadori Ishinger i cili ishte në treshen që drejtoi tre muaj bisedime shtesë për statusin e Kosovës, u shpreh i kënaqur me rrjedhën e procesit politikë pas shpalljes së pavarësisë.

“Para një viti e gjysmë, në përfundim të procesit të Treshes, para shpalljes së pavarësisë, janë shprehur shumë shqetësime. Është thënë se pavarësia do të çojë në ripërtëritje të dhunës, në vështirësi të mëdha. Duke qenë pjesë e procesit të Treshes dhe si pjesëmarrës i këtij procesi historik gjatë disa viteve të fundit, jam shumë i kënaqur që asnjë nga parashikimet negative nuk doli i vërtetë”, tha zoti Ishinger, pas takimit me udhëheqësit më të lartë politikë në Prishtinë.

Ai përshëndeti përparimin e arritur në Kosovë gjatë vitit të parë të funksionimit të Kushtetutës dhe përkushtimin e udhëheqësve të vendit për të zbatuar planin e krye negociatorit Marti Ahtisari në bazë të të cilit u shpall edhe pavarësia e Kosovës.

Zoti Ishinger tha se komuniteti ndërkombëtar vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj Kosovës.

“Vendimi para disa ditëve i ministrave të mbrojtjes së NATO-s për të shkurtuar trupat e KFOR-it është respekt për shkallën e qëndrueshmërisë të arritur këtu, që është një shenjë e mirë. Kjo nuk do të thotë se NATO-ja po ikën nga Kosova. Kjo do të thotë se NATO-ja është e kënaqur që gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur”, theksoi Ishinger.

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi i shprehën mysafirit përkushtimin e tyre për një Kosovë demokratike dhe me synime për integrime euroatlantike.

Në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të ligjit themeltar, udhëheqësit e Kosovës thonë se ajo është një Kushtetutë bashkëkohore që garanton trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike.

Por ata pranojnë se sfida më e madhe është zbatimi i Kushtetutës në zonat e banuara nga serbët, veçanërisht në veriun e vendit - skenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë. //ii

XS
SM
MD
LG