Lidhje

Izraeli, palestinezët dhe vendbanimet hebraike


Vendbanimet hebraike në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku jetojnë rreth 300 mijë izraelitë, janë një ndër çështjet më kritike në konfliktin izraelito-palestinez që kërcënon të vonojë arritjen e paqes. Presidenti Barak Obama, në fjalimin që mbajti muajin e kaluar në Kajro drejtuar botës myslimane, bëri thirrje për një ngrirje të të gjitha veprimtarive që lidhen me vendbanimet hebraike. Uashingtoni e ka deklaruar hapur se zgjerimi i këtyre vendbanimeve nga Izraeli duhet të ndalet. Plotësimi nga Izraeli i kërkesës amerikane nuk do të jetë i lehtë.

Në vendbanimin Yitzhar, që ndodhet në majën e një kodre pranë qytetit Nablus të Bregut Perëndimor, banojnë rreth 500 hebrej.

Një prej tyre është Benjamin Allen, hebre nga Shtetet e Bashkuara që ka ardhur këtu dhjet vjet më parë. Ai punon kryesisht në ndërtim dhe fiton diçka duke punuar disa orë në një dyqan ushqimesh. Bashkë me familjen, ai ka hedhur rrënjë këtu dhe thotë se në asnjë mënyrë nuk mund të largohet nga ky vendbanim.

"Kjo do të më shkatërronte fare. Mos e dhëntë zoti por nëse na detyrojnë të ikim, ky do të ishte fundi."

Vendbanimi Yitzhar shtrihet në një tokë që Izraeli ia ka marrë marrë Jordanisë gjatë luftës gjshtëditëshe të vitit 1967.

Çmimet e ulta të tokës dhe stimujt me taksat kanë qenë disa nga arsyet që hebrejtë kanë ardhur të jetojnë në komunitete të tillë të largët dhe të rrethuar me gardhe si Yitzhari.

Por shumë të tjerë si Allen, i ka shtyrë ideja e lidhjes me rrënjët e së kaluarës për t’u ngulur këtu.

"Ne nuk jemi kthyer këtu si izraelitë por si hebrej. Kjo pjesë e tokës ku unë banoj, ku ne banojmë, është toka ku shkeli Abrahami, Isaku dhe Jakobi. Për mua, kjo është tokë hebraike."

Në fjalimin e tij në Kajro, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin një zgjidhje me dy shtete, në të cilën Bregu Perëndimor dhe Gaza të formojnë shtetin palestinez që do të jetonte në paqe krahas Izraelit.

Por për palestinezët, vendbanime si Yitzhari shtrihen në tokën që ka qenë e tyrja për shekuj dhe janë pengesë për krijimin e një shteti të pavarur.

Në fshatin arab Asira al-Kabalija aty pranë, Hijam Sulejman dhe familja e saj merren me kultivimin e shafranit dhe erëzave të tjera. Fshatarët, tregon ajo, nuk dalin dot në arat e tyre dhe për sa kohë që kolonët të banojnë aty, nuk do të ketë kurrë paqe.

Toka e familjes sime është përtej kodrës, në anën tjetër të vendbanimit. Njerëzit e mij nuk shkojnë dot atje sepse nuk lejohen nga kolonët.

Në shtator vitin e kaluar, Asira al-Kabalija u bë skenë e dhunës kur dhjetra banorë të vendbanimit Yitzhar sulmuan fshatin dhe banorët e tij palestinezë.

Banorët e filmuan ngjarjen dhe kaseta e regjistruar u bë publike nga organizata izraelite e të drejtave të njeriut, B'Tselem. Aty mund të shikosh kolonët hebrej duke sulmuar me gurë shtëpitë palestineze.

Nuk munguan as të shtënat. Dëshmitarët e ngjarjes tregojnë se disa prej hebrejve ishin të armatosur. Në video mund të shikosh se si ushtarët izraelitë qendrojnë si spektatorë pa ndërhyrë fare.

Yitzhari, ashtu si shumica e vendbanimeve ruhet mirë për shkak të sulmeve të palestinezëve në të kaluarën, të cilët i indinjon prania e banorëve hebrej.

Sipas dëshmitarëve, sulmi kundër fshatit arab në muajin shtator erdhi si hakmarrje pas një incidenti të mëparshëm kur një arab hyri në Yitzhar, i vuri zjarrin një shtëpie dhe qëlloi me thikë një fëmijë.

Më pas, plasi dhuna dhe të paktën 4 palestinezë u qëlluan me armë zjarri. Hijam Sulejman ishte aty kur ndodhi ngjarja dhe ajo kërkon që kolonët hebrej të largohen.

Për mua dhe për familjen time, kjo nuk është jetë. Ne duam të jemi të lirë. Një arab duhet të jetë i lirë në shtëpinë e tij. Nëse dikush sulmohet, patjetër që do të kundërpërgjigjet sepse i është cënuar dinjiteti.

Burri i Hijamit, Nabil Asaideh, shpreson se udhëheqësit palestinezë dhe Amerika do ta shtojnë presionin mbi Izraelin që ai të heqë të gjitha vendbanimet hebraike nga Bregu Perëndimor.

“Kurrë nuk do të ketë paqe për sa kohë që këtu të ketë vendbanime. Izraeli duhet t’i heqë të gjitha vendbanimet. Vetëm kur kjo të ndodhë atëhere do të ketë bashkëjetesë për të gjithë. Kjo tokë është e tre feve: e Islamit, e Krishtërimit dhe e Judaizmit dhe askush nuk duhet të sulmojë tjetrin."

Benjamin Allen mendon se ekzistenca e këtij vendbanimi dhe e të tjerave në bregun Perëndimor është me rëndësi jetike për mbijetesën e shtetit të Izraelit. Ai shpreson që qeveria e Kryeministrit Benjamin Netanyahu do t’i rezistojë presionit amerikan për të mos bërë ndërtime në vendbanimet hebraike.

"Shpresoj që ata ta mbajnë fjalën se e kanë seriozisht dhe se nuk do të lëshojnë pe përpara presionit sepse mendoj se trysnia europiane dhe amerikane ndaj Izraelit do të rritet sa më shumë që kalon koha."

Heqja e vendbanimeve nuk do të jetë e lehtë. Por pa një marrëveshje për këtë çështje, thonë analistët, paqja mes izraelitëve dhe palestinezëve duket e pamundur. //ii

XS
SM
MD
LG