Lidhje

Skadon nesër afati për letërnjoftimet elektronike


Në Shqipëri kanë mbetur edhe 24 orë nga skadimi i afatit për pajisjen me letërnjoftime për të gjithë ata që më 28 qershor duan të kenë mundësi të votojnë me dokumentin e ri të identitetit.

Ministria e brendshme njoftoi sot se deri ditën e djeshme kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik 1 milion e 354 mijë shtetas ndërkohë që janë prodhuar mbi 1 milion e 250 mijë letërnjoftime.

Ministria megjithatë nuk tha se sa ka arritur numri i qytetarëve pa pasaportë që kanë aplikuar. Zyrtarisht është deklaruar se numri i personave të cilët nuk zotërojnë pasaportë ishte 729 mijë.

Kjo është dhe kategoria për të cilën prej shumë kohësh është zhvilluar një debat i ashpër mes qeverisë dhe opozitës. Kjo e fundit ka hedhur dyshime ndaj autoriteteve duke deklaruar se sipas tyre rrezikohet të lihen pa votuar një numër shumë i lartë qytetarësh.

Por ministria e Brendshme ka reaguar gjithnjë duke thënë se janë të gjitha mundësitë që cdo qytetar i cili dëshiron të ketë letërnjoftimin e ri mund të aplikojë. //mm//

XS
SM
MD
LG