Lidhje

Mijëra përkrahës të opozitës demonstrojnë në Teheran


Dëshmitarë okularë në Teheran thanë se një protestues u vra në demonstratën e madhe pro-opozitës.

Një fotograf iranian në vendngjarje tha sot se anëtarë të armatosur të milicisë pro-qeveritare hapën zjarr kundër turmës, duke vrarë të paktën një demonstrues. Njoftimi i fotografit nuk është konfirmuar nga ndonjë burim i pavarur.

Të shtënat me armë ngjallën panik ndër të paktën 100 mijë demonstruesit që protestonin kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Mijëra iranianë u mblodhën në qendër të Teheranit për të dëgjuar kandidatin reformist për president, Mir Hosein Musavi, duke sfiduar kështu urdhërin për ndalimin e demonstratës, për të protestuar kundër rizgjedhjes së Presidentit konservator.

Zoti Musavi u foli me megafon pjesëmarrësve i hipur në një makinë, në kundërshtim me ndalimin e shpallur nga qeveria. Kandidati reformist akuzoi qeverinë për manipulimin e votave në zgjedhjet e të premtes. Rezultatet zyrtare i dhanë fitoren Presidentit Mahmud Ahmadinexhad me një shumicë dy herë më të madhe madhe se votat e zotit Musavi.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i ka kërkuar Këshillit të Fuqishëm të klerikëve Islamikë që të hetojë akuzat për manipulimin e votave. Zoti Musavi iu drejtua Këshillit dje, duke kërkuar anullimin e rezultateve.

Presidenti Ahmadinexhad tha se zgjedhjet ishin të lira dhe të drejta.

Reagimi i administratës amerikane ndaj rezultatit të zgjedhjeve në Iran

Nënpresidenti Xho Bajden tha se Shtetet e Bashkuara kanë pikëpyetje dhe dyshime nëse zgjedhjet presidenciale të Iranit ishin të lira dhe të drejta.

"A është ky një rezultat i saktë? A është ky rezultati i dëshirave të popullit iranian? Shpresa është që të gjitha votat e iranianëve të jenë numëruar dhe të jenë numëruar me ndershmëri. Mirëpo ne nuk kemi informacion të mjaftueshëm për të dhënë një gjykim".


Zoti Bajden i bëri komentet në një intervistë për programin "Meet the Press" të televizionit NBC. Nënpresidenti tha se Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë “tani për tani” rezultatet zyrtare iraniane. Por ai shtoi se kërkohet një analizë e kujdesshme dhe se veprimet e ndërmarra nga qeveria iraniane nuk të bëjnë ta besosh pretendimin e tyre se zgjedhjet ishin të drejta e të lira.

"Natyrisht, nga mënyra se si ata e shtypin fjalën e lirë, se si i shtypin turmat, se si po trajtohen njerëzit, duket se ekziston një dyshim i vërtetë rreth saktësisë së numërimit të votave".


Zoti Bajden shprehu habi lidhur me fitoren e thellë që zyrtarët thanë se arriti Presidenti Ahmadinexhad, sidomos në zonat urbane ku opozita iraniane është më e fortë. Por nëse administrata Obama po reagon me kujdes, me qendrimin “të presim e të shohim”, ndaj rezultatit të zgjedhjeve, disa republikanë janë shprehur shumë më drejtpërdrejt. Mit Romni, ish guvernator i shtetit Masaçusets dhe ish kandidat për president, bëri këto komente për rrjetin televiziv ABC.

"Zgjedhjet ishin një mashtrim. Rezultat janë të pasakta. Ajo që po shikojmë është një shtypje e egër e popullit”.

Zoti Romni tha sepërpjekjet e Presidentit Barak Obama për t’i shtrirë dorën botës myslimane nuk po tregojnë shenja se po japin efekte moderimi te kundërshtarët e Amerikës siç është Irani. Nënpresidenti Bajden nuk u vuri rëndësi aluzioneve se rezultatet e debatueshme të zgjedhjeve në Iran do t’i komplikojnë përpjekjet për të nxitur dialogun mes Uashingtonit dhe Teheranit.

"Bisedimet me Iranit nuk janë një shpërblim për sjellje të mirë. Ato janë thjesht rrjedhojë e gjykimit të bërë nga Presidenti se është në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në interesin tonë kombëtar, që të bisedohet me regjimin iranian".

Presidenti i Iranit, Ahmadinexhad, tha se diferenca e votave në zgjedhjet e të premtes është aq e madhe, sa që nuk mund të kundërshtohet. Rezultatet zyrtare tregojnë se ai fitoi ndaj kundërshtarit të tij më të fortë me dyfshin e votave, 63% me 34%. //iç//

XS
SM
MD
LG