Lidhje

Presidenti Obama shpreh shqetësimin për dhunën në Iran


Presidenti Barak Obama tha se është i shqetësuar nga dhuna në Iran, veçanërisht pasi persona të armatosur vranë një protestues në një tubim kundër qeverisë në Teheran dje.

Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, zoti Obama tha se do të ishte e gabuar të mos ngrihej zëri për dhunën pas zgjedhjeve dhe parregullsitë gjatë votimeve presidenciale. Ai tha se i takon popullit të Iranit që të përcaktojë të ardhmen e vendit.

Presidenti Obama thotë se është shumë i shqetësuar nga dhuna në rrugët e Iranit, ndërsa protestuesit kundërshtojnë rezultatet e zgjedhjeve të manipuluara presidenciale.

“Mendoj se do të ishte gabim që mos flisja për atë që kemi parë në ekranet e televizionit gjatë ditëve të fundit”.

Zoti Obama tha se populli i Iranit duhet ta dijë se vota e tij është respektuar. Ai tha se duhet të bëhet një hetim për akuzat për manipulime, por duke i dhënë fund gjakderdhjes.

“Mendoj se procesi demokratik, liria e shprehjes, aftësia e njerëzve për të shprehur kundërshtimin e tyre paqësisht, të gjitha këto janë vlera universale dhe duhet të respektohen”.

Duke folur para gazetarëve pas një takimi me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama theksoi se është e vështirë për Shtetet e Bashkuara që të japin një gjykim për zgjedhjet në Iran. Ai theksoi se i takon Iranit të vendosë se cilët do të jenë udhëheqësit e vet.

“Ne nuk kishim vëzhgues atje. Nuk kishte vëzhgues ndërkombëtarë, kështuqë nuk mund ta them me siguri se çfarë ndodhi. Por ajo që mund të them është se duket se shumë njerëz që kishin shpresa, që ndjehen të tradhëtuar”.

Presidenti Obama nuk i përmendi kandidatët kryesorë në zgjedhje me emër: presidentin Mahmud Ahmadinexhad që ka deklaruar fitoren dhe rivalin e tij, reformatorin Mir Hosein Mosavi që po i sfidon rezultatet. Ai i zgjodhi fjalët me kujdes dhe iu drejtua direkt protestuesve.

“Njerëzve që kishin investuar me shpresat e tyre, me energjitë e tyre në procesin politik, u them se bota i ka sytë nga ata dhe është e frymëzuar nga angazhimi i tyre, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve “.

Një nga pyetjet që iu bë Presidentit, ishte nëse kundërshtimi i zgjedhjeve dhe dhuna ia kishin ndryshuar mendimin lidhur me dialogun e mundshëm me Mahmud Ahmadinexhadin. Zoti Obama tha se qëndrimi i tij nuk kishte ndryshuar.

“Përdorimi i diplomacisë së fortë, pa iluzione për Iranin dhe natyrën e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve, është i një rëndësie kritike kur bëhet fjalë për interesat bazë të sigurisë sonë kombëtare”.

Presidenti Obama përmendi konkretisht nevojën për të mos lejuar Iranin që të zhvillojë armë bërthamore dhe frenimin e mbështetjes së tij për terroristët jashtë vendit. Ai i quajti këto interesa kombëtare jo vetëm të Shteteve të Bashkuara por edhe të botës.//kk//

XS
SM
MD
LG