Lidhje

Intervistë me Presidentin e Shqipërisë Bamir Topi


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, tha sot se fushata e zgjedhjeve parlamentare po zhvillohet normalisht dhe se konkurentët po arrijnë të shpalosin pikpamjet e tyre. Në një bisedë me korrespondentin e Zërit të Amerkës, Ilirian Agolli, zoti Topi u tërhoqi vemendjen partive politike se gjatë kësaj fushate ata nuk po japin deklarata të qarta për reformën në drejtësi.


Zëri i Amerikës: Zoti President! Ju lutem, një koment! Si po ju duket fushata, atmosfera e saj, mesazhet që po përcillen?

Presidenti Topi: Ajo çka presin të gjithë është që kjo fushatë të konkludojë në mënyrën më të mirë të mundshme, në parametra mjaft civilë në standarte demokratikë dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me partitë politike që janë në fushatë. Ajo që është më e rëndësishmja është që data 28 qershor të jetë dita e kurorëzimit të fryteve të demokracisë në Shqipëri. Padyshim që kjo fushatë është një arritje e konsiderueshme krahasuar me fushata të tjera zgjedhore. Po zhvillohet përgjithësisht në një klimë të qetë. Njerëzit janë të pranishëm. Kandidatët, me sa kam parë, nuk kanë kontestime të dukshme lidhur me hapësirat e tyre. Asnjëherë nuk mund të arrihet maksimumi, sepse evoluimi i demokracisë sigurisht do kohën e vet dhe nuk mund të themi që është maksimumi, por, duke patur edhe një përvojë personale për përfshirjen në politikë dhe fushatë elektorale, mendoj që kjo fushatë është një hap përpara.

Zëri i Amerikës: Çfarë nuk po shkon mirë, çfarë do të kritikonit në ecurinë e fushatës, në mesazhet e konkurrentëve, apo në detaje si kartat, përshembull?

Presidenti Topi: Besoj se elementi kryesor janë mesazhet. Kam deklaruar, pa interferuar në vizionin e fushatave, sepse kjo nuk është detyra ime, që njerëzit kanë nevojë të shikojnë më mënyrë më të dukshme prioritetet e partive politike dhe të koalicioneve. Unë kam shprehur një shqetësim që lidhet me vizionin për drejtësinë. Sigurisht mund të lidhet edhe me momente të tjera, por unë e kam parë në një këndvshtrimi specifik për reformat në drejtësi, sepse këto reforma domosdoshmërisht kërkojnë konsensus. Kam thënë se pavarësisht se kush do të jetë fituesi, pavarësisht se kush do të jetë “humbësi”, - në thonjëza kjo se në demokraci nuk ka asnjë të humbur - është e detyrueshme që ato të shprehen për një vullnet pozitiv në arritjen e konsensuseve të gjera, sepse kërkohen votime të cilësuara dhe domosdoshmërisht është shumë e rëndësishme që reformat në drejtësi të vazhdojnë.

Zëri i Amerikës: Zoti President, ju falemnderit! //iç//

XS
SM
MD
LG