Lidhje

Ahtisari: Pa fqinjësi të mirë nuk ka integrim në BE


Ish kryenegociatori ndërkombëtarë për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari dhe zëvendësi i tij diplomati Albert Rohan, përsëritën sot në Prishtinë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe si një rast i veçantë Kosova nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër. Ata i bënë këto komente në një debat të organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme që drejtohet nga publicisti Veton Surroi dhe Fondacioni i Kosovës për shoqëri të hapur.


Të dy diplomatët bënë thirrje që vendi të përqendrohet në përpjekjet për krijimin e një shoqërie të qëndrueshme. Zoti Ahtisaari tha se procesi i deritashëm politikë ka dëshmuar se plani i tij në bazë të të cilit është shpallur pavarësia dhe vendimi për shpalljen e saj ishin veprimet e duhura.

Kosova tash është shtet i pavarur dhe do të mbetet i tillë. Tash është në duart e qytetarëve të Kosovës që të ndërtojnë një shoqëri të përparuar dhe t’u dëshmojnë të gjithë atyre që kanë dyshuar se ju mund t’ia dilni”, theksoi zoti Ahtisaari.

Ai tha se ky vend duhet të bëhet shtet i qëndrueshëm pavarësisht vështirësive dhe në vitet që vijnë të shndërrohet në kandidat për Bashkimin Evropian. Ai tërhoqi vërejtjen se ka shumë preokupim për qëndrimin e Beogradit kundruall Kosovës dhe kjo duhet të tejkalohet, kur dihet qartazi se cilat janë kushtet për integrimin në Bashkimin Evropian.

Çështja themelore është se ju duhet të keni mundësi të jetoni në paqe me fqinjët dhe nëse nuk e bëni këtë, nuk keni vend në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Zoti Ahtisaari dhe zëvendësi i tij Albert Rohan, thanë se janë më shumë të shqetësuar me qëndrimin e pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duke dëmtuar procesin e zgjerimit të këtij Bashkimi.

Ata thanë se plani i tyre për statusin e Kosovës është i pa negociueshëm, duke u bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb që të pranojnë këtë plan dhe të punojnë për të përfituar prej tij. Zoti Rohan tha se pjesa më e madhe e këtij plani u krijon mundësi komuniteteve pakicë dhe veçanërisht pakicës serbe që të sigurojnë vendin e tyre në shoqërinë e Kosovës. Por, kjo kërkon angazhimin e tyre tha ai.

Nëse e shohin ardhmërinë e tyre ne këtë vend atëherë ata duhet të jenë të angazhuar dhe plani i zotit Ahtisaari ju ofron mundësitë më të mira që mund të mendohen”, tha zoti Rohan.

Të dy diplomatët i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të punojnë për zhvillimin ekonomik të vendit, për proceset integruese dhe vendosjen e sundimit të ligjit. Ata po qëndrojnë në Prishtinë në kuadër të manifestimeve që janë organizuar me rastin e njëvjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është ngritur në tërësi mbi planin e zotit Ahtisaari, plan ky që është refuzuar nga Beogradi dhe serbët e Kosovës. //iç//

XS
SM
MD
LG