Lidhje

CPJ dënon kërcënimet kundër gazetares Jeta Xharra në Kosovë


Një organizatë për mbrojtjen e lirisë së shtypit me qendër në Nju Jork, i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të dënohen publikisht dhe të hetohen deri në fund kërcënimet kundër gazetares Jeta Xharra dhe disa kolegëve të saj në Kosovë.

Në një letër drejtuar zotit Thaçi, Komititeti për Mbrojtjen e Gazetarëve, thotë se gazetares Jeta Xharra, kryetare e organizatës BIRN (Rrjeti për Raportimet Investiguese në Ballkan), i janë dërguar mesazhe me kërcënime për vdekje, duke e quajtur atë agjente të Sërbisë dhe duke krahasuar punën e saj me propagandat fashiste.

Kërcënimet, thuhet në letrën e firmosur nga drejtori ekzekutiv i Komitetit, Xhoel Sajmon, erdhën pas edicionit javor të programit televiziv, “Jeta në Kosovë” i cili shfaqet në Radio Televizionin e Kosovës dhe drejtohet nga zonja Xharra. Ky program trajton çështje të ndjeshme të shoqërisë kosovare si krimet e luftës, droga, homoseksualiteti, të drejtat e njeriut, dhe liria e shtypit.

Ndonës kërcënimet nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me gazetën Infopress, zonja Xharra beson se kjo gazetë i ka inkurajuar frikësimet ndaj saj, thuhet në letër.

Në një deklaratë të botuar nga BIRN, zonja Xharra thoshte se “në një shoqëri të pasluftës siç është Kosova, ku plagët ende janë të hapura, ta krahasosh dikë me Millosheviçin e Sërbisë, kjo nuk është vetëm fyerje apo urrejtje e motivuar, por mund të cilësohet edhe si kërcënim me vdekje.”

Në letrën e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve dërguar kryeministrit Thaçi thuhet se kërcënimet e dërguara me postë elektronike janë raportuar tek policia lokale por deri tani nuk është bërë asnjë arrestim.

Në letër theksohet se mesazhet kërcënuese kundër Jeta Xharrës dhe kolegëve të saj gazetarë janë të dëmshme dhe paraqesin rrezik për demokracinë në Kosovë.

Liria e shtypit në Kosovë, thotë Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, duhet të mbrohet sepse ajo është e drejtë themelore e njeriut në një shoqëri të pavarur dhe të qendrueshme.

Komiteti i kërkon qeverisë së Kosovës që menjëherë dhe pa mëdyshje ta dënojë këtë përpjekje për të frikësuar një gazetare të pavarur dhe kolegët e saj, t’i dënojë të gjithë ata që janë përgjegjës për këto kërcënime, dhe të kujdeset për sigurinë e zonjës Xharra dhe kolegëve të saj në BIRN.

Kur Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Sërbia në shkurt të vitit të kaluar, thuhet në letër, një pjesë e mirë e komunitetit ndërkombëtar e njohu statusin e ri të saj.

Tani, thotë letra, Kosova duhet të demonstrojë se është e gatshme të justifikojë shpresat për demokraci të popullit të saj dhe të botës.

“Ne presim përgjigjen tuaj,” thuhet në letrën e Komitetit për Mbrojtjes së Gazetarëve drejtuar Kryeministrit Thaçi. //ii

XS
SM
MD
LG