Lidhje

Figura e Sali Berishës nën këndvështrimin e analistëve


I rikthyer në pushtet pas tete vitesh në opozitë kryetari i partisë demokratike Sali Berisha kërkon sot sërish me të njejtën energji një mandat të dytë qeverisës. Në drejtimin e vendit si kryeministër ai ruajti tiparet që shpesh ndër vite kanë karakterizuar portretin e tij politik: pushtetin e fortë, aftësinë për të nxjerrë sa më shumë përfitime politike qoftë dhe nga një fitore e vogël apo të minimizojë maksimalisht edhe pasojat e një disfate, vendosmërinë për të pastruar rrugën e tij nga çdo kundërshtar i mundshëm brenda familjes së vet politike, këmbënguljen për t’i shkuar shpesh deri në fund projekteve të tij pavarësisht kostove, qoftë edhe për t’u përplasur për çdo gjë e me këdo që mund t’i bëhej pengesë.

Katër vitet e qeverisjes së tij kanë shënuar ulje ngritje të mëdha. Sot ai e ka përqëndruar
fushatën e tij në ato që cilësohen si arritje e vecanërisht burimet e mëdha finaniare të hedhura për investime në infrastrukturë.

Për Blendi Fevziun, vëzhgues i hershëm i zhvillimeve politike, këto investime, veçanërisht në akse të mëdha rrugore, i japin kryeministrit një avantazh shumë të madh:

" Eshtë një perceptim i përgjithshëm i cili del në sondazhe se Berisha është një njeri që i mban premtimet, gjë e cila rallë ka ndodhur me liderët poliik dhe unë besoj se ky do të jetë avanatazhi më i madh personal i Sali Berishës, që ai duhet dhe do ta shfrytëzojë me sa duket për premtimet për katër vitet e ardhshme. Premtimi për ndërtimin e rrugës Durrës Kukës dhe arritja e kësaj vepre që ka patur shumë veshtirësi i ka lënë të kuptojë pjesës më të madhe qytetarëve se ky është një njeri që zakonisht premtimet i mban", - thotë ai.

Bledi Kajsiu, pedagog në një universitet privat, i angazhuar në analiza politike thotë se fushata e përqëndruar te arritjet ja ka arritur deri diku qëllimit:

"Berisha ka tejkaluar një herë e mirë paragjykimin që ai ka patur në 2005 si një person i paaftë që nuk di të qeverisë. Një paragjykim i ngritur nga socialistët në 8 vitet e tyre të pushtetit. Sot mendoj se ai ka arritur të krijojë idenë se punon: rrugët, mbledhja e të ardhurave e kështu me radhë,"- thotë ai.

Andi Bushati, një analist kritik ndaj figurave kryesore politike gjithashtu përmend disa arritje që sipas tij janë në favor të fushatës së kryeministrit:

"Duhet thënë se ka patur sukses në luftën kundër bandave dhe krimit të organizuar ka bërë një lloj reforme të paopërfunduar në sistemin fiskal, tatime dhe taksa e ka arritur të ketë suksese për të patur një buxhet më të madh Shqipëria".

Gjatë qeverisjes Berisha, Shqipëria arriti një kulm historik me anëtarësimn në Nato ndërkohë që marrëdhëniet me BE shënuan hapa para me nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, apo dhe aplikimin për statusin e vendit kandidat.

Blendi Fevziu i shton kësaj panorame edhe takimet e kryeministrit me homologë të vendeve me peshë në arenën botërore:

"E gjitha kjo ndikon. Them peshën më të madhe e mban liberalizimi i vizave por e gjithë situata ndërkombëtare ndikon".

Por të tjerët shohin te fokusimi i madh te ky aspekt ndërkombëtar një përpjekje për të kompensuar humbjet e brendshme: "Fakti që zoti Berisha e partia e tij po mbështeten shumë të faktorët e huaj tregon se kanë probleme me cështjet brenda me elektoratin shqiptar", shprehet Andi Bushati.

"Theksimi i legjitimitetit që vjen nga jashtë, Bushi, Obama, Nato....është kompensim për mungesën e legjitimitetit që bjerret, që reduktohet nga brenda. Dhe po ta shikojmë këto shkojnë paralelisht dhe po të shohim këto shkojnë paralelisht, pra pas Gërdecit theksohet shumë Nato, sepse nga njëra anë Gërdeci ul legjitimitetin nga brenda, nga ana tjetër Nato synon të mbushë këtë vakuum", - shpjegon Bledi Kajsiu.

Por ngjarje të tilla si ajo e Gërdecit, e tregtisë së fishekëve drejt Afganistanit, furtuna me cështjen Fazllic apo akuzat e hedhura në shtyp se fëmijët e tij qëndronin pas disa aferave të dyshimta sa do të ndikojnë?

"Minusi më i madh i Berishës është se atij i humbi e drejta për të përdorur flamurin e antikorrupsionit. Ngjarje si ato të Gërdecit të cilat nxorrën shumë qartë në pah faktin që ne kemi një shtet që vepron mbi baza familjare e klanore e duke parë se cfarë sjellë një ndërtim i tillë i strukturës së shtetit e kanë diskredituar shumë rëndë qeverisjen e zotit Berisha dhe një gjë e tillë do të ndikojë ndjeshëm në këtë fushatë elektorale", - vlereson Bushati.

Edhe Blendi Fevziu thotë se rasti Gërdecit mund të jetë një nga kostot më të mëdha, ndonëse mund të jetë më shumë për aleatët e tij se sa për vetë kryeministrin, shton ai. Sipas tij, duke u referuar sondazheve, cështja e korrupsionit, në ndryshim nga katër vite me parë nuk shihet më nga shqiptarët si një problem i parë thelbësor e për pasojë nuk mund të jetë ndër kostot kryesore:

" Berisha erdhi në 2005 me një premtim thelbësor për korruspionin që dilte si prioritet i parë i asaj kohe. Sot prioritet i parë janë punësimi, zhvillimi ekonomik dhe janë ulur disa të tjera si Rendi, energjia dhe infrastruktura për arsye se konsiderohen prioritet përgjithësisht të zgjidhura. Korrupsioni mbetet gjithnjë poshtë 3 prioriteteve të para të njerëzve dhe nuk besoj se do të ketë atë peshë që do të kishte".

Sipas Blendi Fevziut një nga kartat që kryeministri duhet të konsiderojë është fenomeni i natyrshëm i konsumit nga pushteti apo dhe "një problem që do të nisë të ngrejë krye apo kundërshtarët e tij po tentojnë t’ja ngrejnë dhe duhet parë se sa do të jetë një faktorë negativ, është kohëzgjatja e madhe në politikë. Berisha është politikani më i vjetër ndoshta bashkë me disa të tjerë dhe kjo mund të ketë krijuar një farë lodhje që mund të japë kosto".

Të njejtin argument mbështet edhe Bledi Kajsiu sipas të cilit kjo gjë është edhe pika më e dobët e kryeministrit:

"Me apo pa dashje zoti Berisha përfaqëson të gjithë të kaluarën e tranzicionit shqiptar, do apo s’do është përfaqësuesi i 20 viteve të kaluara me të mirat dhe të këqiat dhe kush do e votoj atë do votojnë të gjithë bagazhin historik që ai përfaqëson në sytë e tyre dhe kjo ka disa të meta që i dimë se njerëzit janë të lodhur me tranzicionin".

Një aspekt të cilin kryeministri duket se po kërkon ta zbehë, të paktën në imazhin elektorale kur në mbyllje të mitingjeve rrethohet nga artistë të rinj e këngëtare tërheqëse të cilët i bashkohen nën tingujt e himnit të kësaj fushate.//lk

XS
SM
MD
LG