Lidhje

Në Iran vazhdojnë demonstratat kundër rezultatit të zgjedhjeve


Dhjetra mijë përkrahës të kandidatit të opozitës, Mir Husein Musavi, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale, iu përgjegjën thirrjes së tij për të dalë në demonstratë dhe për të mbajtur zi për ata që u vranë gjatë dhunës paszgjedhore.

Zoti Musavi iu bashkua demonstruesve sot në Sheshin Imam Khomeini. Shumica e pjesëmarrësve ishin veshur me të zeza, sipas udhëzimeve të zotit Musavi për të nderuar viktimat, dhe jo me ngjyrën e gjelbërt të fushatës së tij që u bë simbol i protestave.

Të paktën 7 protestues u vranë nga milicia proqeveritare në Teheran të hënën.

Në Teheran ka patur demonstrata të përditëshme që kur autoritetet iraniane shpallën fitues të zgjedhjeve të 12 qershorit Presidentin Mahmud Ahmadinexhad me 63 përqind të votave. Zoti Musavi ka kërkuar anullimin e votimit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Këshilli i Plotfuqishëm i Klerikëve që mbikqyr zgjedhjet në Iran, e ka ftuar zotin Musavi dhe dy kandidatët e tjerë të opozitës për një takim të shtunën, ku do të diskutojnë shqetësimet e tyre.

Një zëdhënës i Këshillit tha se ai ka filluar shqyrtimin e 646 ankesave për parregullsi në votimet e 12 qershorit.

Akuzat e opozitës për manipulimin e votave kanë shkaktuar trazirat më të mëdha në Iran që nga Revolucioni Islamik në vitin 1979. //iç///

XS
SM
MD
LG