Lidhje

Vëzhguesit: Fushata e qetë por ka rritje tensioni në disa zona


Misioni i OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri publikoi mbrëmë një raport të ri ku thekson se megjithëse fushata elektorale ka vazhduar të jetë e qetë, ka patur një rritje tensioni në disa zona.

Raporti përmend vrasjen më 12 qershor të një aktivisti të Partisë Demokratike nga një aktivist i Partisë Socialiste pas një mosmarrëveshjeje për vendosjen e posterave.

Raporti i misionit vëzhgues përfshin periudhën nga 4 deri në 13 qershor dhe nuk përmend vrasjen dje të kryetarit të degës vendore të Partisë Demokristiane për Malësinë e Madhe.

Qeveria, thuhet në raport, ka vazhduar të përdorë ceremonitë zyrtare për qëllime fushate. Në disa raste, janë mbyllur shkollat në mënyrë që nxënësit të marrin pjesë në këto ceremoni. Misioni vëzhgues vazhdon të marrë njoftime për presione ndaj punonjësve të sektorit publik.

Lista përfundimtare e votuesve përfshin 3,084,067 qytetarë por Partia Socialiste e ka kontestuar publikisht listën duke thënë se ajo përmban gabime të llojeve të ndryshme, thuhet në raport.

Raporti i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it, i treti për këto zgjedhje, thekson se përpjekjet për pajisjen e çdo qytetari pa pasaportë me kartë idenfikimi vazhdon të jetë fokusi i vemendjes publike.

Sipas Ministrisë së Brendshme, deri më 12 qershor, ishin bërë 1,33 milion kërkesa për karta dhe ishin dorëzuar rreth 900 mijë karta. Misioni vëzhgues kanë vazhduar t’i vijnë njoftime për mungesa teknike dhe organizative.

Socialistët, thuhet në raport, ankohen se ndihmat për të marrë kartat e identitetit janë në dhënë në disfavor të mbështetësve të tyre.

Monitorimi i medias nga misioni vëzhgues, thuhet në raport, tregon se dy nga pesë kanale televizive të monitoruara i kanë dhënë kohë të barabartë si Partisë Demokratike ashtu edhe Partisë Socialiste por këto kanale si dhe një i tretë kanë vazhduar të tregohen të njëanshëm përsa i përket cilësisë së mbulimit. //ii

XS
SM
MD
LG