Lidhje

Figura e Edi Ramës nën këndvështrimin e analistëve


Në Shqipëri sistemi i ri elektoral, ai proporcional rajonal, e ka përqëndruar më shumë se kurrë fushatën tek figurat e udhëheqësve politikë. Gara për zgjedhjet e 28 qershorit praktikisht është kthyer në një sfidë direkte mes drejtuesve të partive kryesore. Ajo dallohet jo vetëm në përdorimin e shpeshtë të fjalimeve në vetën e parë, por edhe në debatet publike ku përfaqësuesit politikë përplasen në mbrojtje të udhëheqësve të tyre, duke identifikuar gjithnjë e më shumë forcën politike me drejtuesin e saj. Në këtë mënyrë kryetarët e partive kanë marrë kështu edhe përgjegjësinë direkte për humbjen apo fitoren në këtë përballje. Por cilat janë avantazhet dhe pikata e dobta të drejtuesve kryesorë të klasës politike shqiptare. Korrespondenti ynë Armand Mero ka përgatitur një cikël mbi këtë temë dhe sot ne do të ndjekim se si e shohin disa prej analistëve të njohur në Shqipëri figurën e kryetarit te Partise Socialiste, Edi Rama.


Në 2005-ën, kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama hyri në selinë e Partisë Socialiste edhe si kryetar i saj. Ai shkelte në një terren që për vite ishte dominuar nga figura e udhëheqësit historik të saj Fatos Nano, ku fshirja apo zëvendësimi i hijes së rëndë të së cilit ishte detyra e parë dhe më e vështirë. Zoti Rama kishte pak njohje aty, e aq më pak me strukturat e partisë. Por ai shfrytëzoi më së miri tërheqjen që figura e tij si drejtues i kryeqytetit kishte ngjallur te socialistët të cilët shihnin te ai dhe mundësinë e rikthimit në pushtet.

Pozita e kryetarit të partisë ridimensionoi edhe vetë zotin Rama. Nga një polemizues i fortë, që i dilte përballë goditjeve dhe sulmeve, ai ju dedikua më shumë forcimit të pozitave të tij, shtrirjes gjithnjë e më të madh të kontrollit përmes përcaktimit të rregullave të reja dhe angazhimit të njerëzve të rinj afër tij.

Në 2007-ën ai fiton dy beteja të rëndësishme. Rizgjidhet kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe i jep një tjetër goditje ish kryetarit Fatos Nano duke mos e ndihmuar në kandidimin për president. Por këto fitore me vlerë vetëm për pozitat e tij të brendshme do të pasohen shpejt me një krisje në gjirin e të majtës. Ftohjen dhe divorcin e plotë me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Dhe në zgjedhjet e 28 qershorit zoti Rama hyn duke vënë një bast të fortë politik. Me një goditje të vetme, në rast fitoreje në zgjedhje, të rrëzojë tre figura politike: të largojë nga pushteti kryeministrin Berisha, të lërë përfundimisht jashtë zotin Nano dhe t’i heqë cdo fuqi ndikimi zotit Meta. " Une do ta fitoj këtë garë", thotë Rama në videoklipin që shoqëron kengën e fushatës së tij.

Por sa ja vështirëson fushatën kjo sfidë e trefishtë? "Rama nuk shquhet si njeri që bën beteja të mëdha, të paktën në vitet e fundit e ka zbehur grintën prej sfidanti të vazhdueshëm qoftë në shtyp si publicist qoftë kur ishte ministër kulture që hapi disa beteja të mëdha me artistët e tjerë që i fitoi. Rama si kryetar bashkie sidomos kryetar i PS është një njeri i butë që nuk po tenton të përplaset me askën. Ky është rasti i parë dhe shumë interesant për tu analizuar kur po tenton të përballet me tre vetë njëherësh.Bëri një zgjedhje në të cilën nuk di të të them se sa do të fitojë. Eshtë një sfidë shumë e madhe", thote Blendi Fevziu, një nga analistët e vjetër të medias shqiptare.

Për Bledi Kajsiun, një prej analistëve që është marrë me fenomenet politike në vend, kjo përpjekje e zotit Rama për të qenë sipas tij numri një i të gjithë së majtës duket shumë e vështirë dhe një pengesë për të në këtë fushatë: "Mendoj që ky bast mund të shihet që tani se nuk po jep efektet e tij. Sondazhet kanë një emërues të përbashkët që asnjë nga forcat poltike PD apo PSD nuk fiton dot e vetme ekzekutivin".

Për Andi Bushatin, një vëzhgues i kujdesshëm i politikës,idea e mbledhjes te figura e zotit Rama të shumë pushteteve mund të ngjallë edhe frikë: "Fakti që do të heqë zotin Berisha, do të zhdukë zotin Meta dhe do të largojë përfundimisht zotin Nano nga skena politike dhe pasuesit e tij, fakti që njëkohësisht do të jetë kryetar i partisë, kryeministër, drejtues de facto apo de jure mund të krijojnë frikë që rreth këtij njeriu mund të mblidhet një pushtet absolut".

Të gjithë megjithatë bien dakort në një pikë. Profili i tij dhe mosha e re, fakti se nuk është provuar në ekzekutiv shihet si një pikë që e favorizon zotin Rama në këtë sfidë elektorale. Ai është përpjekur t’i lërë këto 18 vitet e shkuara të politikës shqiptare në një cep të historisë: "Ajo që thotë zoti Rama se përfaqësoj politikën e re nuk është plotësisht e vërtetë se ai ka qenë pjesë e procesit politik shqiptar për shumë vite por ai nuk është një figurë aq historike sa zoti Berisha, dhe të qenurit figurë historike ka të mirat dhe të këqiat e saj",shprehet Kajsiu.

"Rama ka tentuar ta ndajë veten nga klasa politike shqiptare, në gjykimin tim duke vepruar gabim për arsye se ai është pjesë e kësaj klas e politike shqiptare që prej viti 1998, ka qenë ministër e kryetar Bashkie, por ka përdorur një truk që duke mos qenë pjesë e ekzekutiovit apo vetëm pak për dy vjet, ai nuk ka peshën që mund të marrin ata njerëz që kanë qenë pjesë e parlamentit"-komenton Blendi Fevziu.

“Ai ka tashmë një eksperincë me pushtetin. Shqiptarët e dinë se si ai qeveris në të mirë dhe në të keq. Nuk është një e re absolute”,thotë Bushati.

Por zoti Rama e ka dashur fort ta distancojë veten edhe në modelin e të bërit opozitë apo të përballjes politike . "Ne nuk jemi këtu për të thirrur poshtë Sali erisha portë ngremë lart njeri tjetrin për të ngritur lart Shqipërinë”, ju drejtua kryetari socialist një mbështetësi të tij që thërriste kundër kryeministrit gjatë mitingut të hapjes së fushatës elektorale.

Për Blendi Fevziun, kryetari socialist po synon të kap në këtë mënyrë brezin e njerëzve të paangazhuar apo të pavendosur: "Modeli i opozitës, ku ai nuk ka qenë agresiv ku ka tentuar të mos thotë asgjë konkrete por të flasë në përgjithësisht duke lënë modelin e njeriut që i afrohet shumë atij që është i pavendosur që nuk është me asnjërën pale, që ka një mungesë pavendosmërie dhe e gjen veten te ky model i Ramës që nuk është agresiv me asnjë palë që noton në ujëra të qeta dhe mund të marrë këtë 10-15 përqindsh".

Bledi Kajsiu e shikon këtë si një dobësi të zotit Rama bashkë me faktin se siç shpjegon ai, njerëzit e rinj të përfshirë nga kryetari socialist nuk kanë staturë publike dhe politke dhe krijojnë një distancë me liderin dhe nuk i shtojnë sipas tij më shumë përfaqësim Partisë socialiste: "E gjithë fushata e zotit Rama reduktohet te politika e re e cila as është artikuluar as është zbërthyer konkretisht në politika konkrete për grupime sociale apo grupime interesi. Zoti Rama është ende një pikëpyetje e madhe dhe pikëpyetjet nuk është se pëlqehen shumë nga elektorati.Fushata thellësisht pozitive e opozitës në një moment kur e konsideron zotin Berisha si fatkeqësinë më të madhe të kombit shqiptar duket pak e çuditshme".

Andi Bushati e sheh me tone më negative këtë pozicion të zotit Rama duke vënë në pah dhe qëndrimet e ndryshme në kohë të tij: "Nuk mund të bësh opozitë më të ashpër për prishjen e Zogut të Zi në Tiranë se sa për Gërdecin që është një krim shtetëror dhe vrasje e 26 vetave".

Më shumë se sa ai vetë personalisht, përfaqësuesit socialist në këtë fushatë i kanë mëshuar fort modelit të qeverijes s kryeqytetit si një model për të përfaqësuar drejtimin e vendit. Por edhe këtu analiza që bëhet ka dritëhijet e veta. Pozitiv për nga tërheqja që ka krijuar në pjesën tjetër të Shqipërisë por dhe me anë, që sipas Blendi Fevziut vecanërisht shumica po tenton t’ja kthejë në të kundërt: "Po ja sulmon modelin si një model korruptiv duke e sulmuar te lejet e ndërtimit, te raportet me Delijorgjin në Tiranë, duke e sulmuar te KRT te vendimet që ai ka marrë në disa raste për bashkëpunëtorë të tij të afërt dhe modeli që ata e cilësojnë arbitrar dhe klientelist. Kjo padyshim do të japë një kosto dhe duhet parë se sa kosto mund të japë në Shqipëri". Ndërsa Bledi Kajsiu e shikon në një tjetër prizëm: "Modeli i Tiranës nuk mund të shërbej si model. Përkundrazi është shembulli i dështimit të zhvillimit Shqipërisë sepse ajo është zhvilluar si pasojë e varfërimit të pjesës tjetër e zhvillimit të pabarabartë gjeografik dhe social. Ka thithur burimet njerëzore e financiare të gjithë pjesës tjetër. Prandaj ky nuk mund të jetë model".

Shumë shohin te fushata e zotit Rama një përafërsi me fushatën që bëri presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara Barak Obama. Theksimi i nevojës për ndryshim apo siç përmend zoti Rama nisjen një epoke të re. Por më shumë një ngjasëri dhe në formë. Një podium i ngjashëm, mikrofona të njejtë, dhe shpesh ngjashmëri edhe në gjestikulacione.

XS
SM
MD
LG