Lidhje

Kosova në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian


Përfaqësues politikë vendas e ndërkombëtarë thanë të shtunën në Prishtinë se mosnjohja e Pavarësisë së Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian i vështirëson përpjekjet e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian. Ndërsa vendet e Ballkanit perëndimor tashmë kanë filluar procesin e liberalizimit të vizave, problemet ligjore që shkakton mosnjohja e Kosovës nga Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia po ndikojnë që vendi të mbetet e izoluar edhe në proceset para-anëtarësimit.

Në një konferencë mbi integrimet që u mbajt të shtunën në Prishtinë, Jan Marinus Wiersma, anëtar i Parlamentit Evropian, tha se Bashkimi Evropian duhet të gjejë një zgjidhje praktike për Kosovës në mënyrë që edhe ajo të behët pjesë e nismave rajonale drejt integrimeve.

“Fakti se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë, i krijon edhe problemet ligjore brendapërbrenda BE-së. Meqë shumica e vendeve të BE-së e kanë njohur Kosovës, mendoj se Bashkimi Evropian do të jetë mjaft i mençur për të gjetur një mënyrë për të dale edhe nga kjo situatë. Nuk do të ishte e drejtë nëse programi i fizibilitetit do të vlente për të gjitha vendet e rajonit, përveç Kosovës. Unë nuk mund të jap një përgjigje, por mendoj se kjo është njëra nga ato problemet ligjore për të cilat nevojitet gjetja e një zgjidhjeje praktike, ashtu siç e kemi gjetur zgjidhjen për vendosjen e EULEX-it” tha zoti Wiersma.

Zoti Wiersma, tërhoqi vërejtjen se pavarësisht situatës së ndërlikuar ligjore, siç thotë ai, institucionet e Kosovës duhet të punojë vet në zhvillimin e vendit.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë ndërkaq se e tërë perspektiva e Ballkanit Perëndimor varet nga Politikat e Bashkimit Evropian dhe sipas tij, kjo politikë ka ndikuar edhe në reformat që po zhvillohen rajon.

“Ne jemi të bindur se Kosova duhet ta ketë një trajtim të veçantë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë ngase Kosovës një kohë të gjatë padrejtësisht i është mohuar liria, zhvillimi dhe prosperiteti. Deri më tani, ne kemi pasur një mbështetje nga vendet e fuqishme të Bashkimit Evropian dhe ne presim që edhe ato vende anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë ta përshpejtojnë këtë njohje sepse kështu e ndihmojnë jo vetëm shumicën e qytetarëve të Kosovës por ndihmojnë edhe integrimin e qytetarëve serbë në jetën institucionale dhe shoqërore në Kosovë” tha zoti Krasniqi.

Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, sfida e radhës për institucionet e Kosovës mbetet integrimi në strukturat euro-atlantike. Kosova deri tani është njohur nga 22 prej 27 shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, mosnjohja e pavarësisë nga 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian e vështirëson rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Kjo mosnjohje ka bërë që tash për tash Kosova të përjashtohet edhe nga procesi i liberalizimit të vizave, madje udhëtimi me pasaportat e Kosovës në krahasim me periudhën e përdorimit të dokumenteve të udhëtimit të lëshuara nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, është shënuar një hap prapa.

Kjo ndodh në një kohë kur në Kosovë është i pranishëm në rolin vëzhgues por edhe me fuqi ekzekutive, misioni më i madh në tërë historinë e Bashkimit Evropian. //bsa//

XS
SM
MD
LG