Lidhje

Teheran: Mijra iranianë përleshen me policinë


Mijra iranianë u përleshën dje me policinë megjithë paralajmërimin e udhëheqësit suprem të vendit për të ndalur protestat.

Dëshmitarët në kryeqytetin Teheran thonë se policia përdori gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe pompa uji në përpjekje për të shpërndarë mbështetësit e kandidatit që humbi në zgjedhjet presidenciale të javës së kaluar, Mir Hosein Musavi. Demonstruesit thërrisnin “Vdekje diktatorit”.

Televizioni shtetëror konfirmoi disa incidente, duke thënë se policia u përlesh me ata që u përpoqën të zhvillonin protesta të paligjshme kundër rezultatit të zgjedhjeve.

Numri i viktimave nga luftimet e djeshme nëpër rrugë është i paqartë. Por videot e publikuara nga amatorët në faqen e internetit YouTube, tregojnë protestues të plagosur rëndë nga konfrontimet me policinë. Irani e ka kufizuar së tepërmi mbulimin e protestave nga media e pavarur, prandaj njoftimet për viktima ose arrestime është e vështirë të konfirmohen.

Me rënien e natës, njerëzit dolën nëpër taracat e banesave duke thirrur “Zoti është i Madh”.

Videot në YouTube tregonin gjithashtu luftime mes civilëve dhe forcave të sigurisë në Isfahan si dhe në qytetin jugor të Shirazit.

Dje paradite, një person hodhi veten në erë pranë një faltoreje kushtuar Ajatollah Khomeinit, udhëheqës i Revolucionit Islamik iranian. Media shtetërore iraniane tha se të paktën 3 veta u plagosën.

Një faqe në FaceBook kushtuar zotit Musavi tha se ai është gati për t’u martirizuar. Deklarata në këtë faqe interneti bënte thirrje për një grevë kombëtare nëse ai arrestohet.

Organizata e të Drejtave të Njeriut, Human Rights Watch thotë se ka konfirmuar nga burime të ndryshme në Iran se janë arrestuar qindra aktivistë të opozitës dhe përkrahës të reformistëve. Mes tyre ka udhëheqës të njohur politikë dhe fetarë si dhe intelektualë, studentë dhe gazetarë. //ii

XS
SM
MD
LG