Lidhje

Obama synon të trajnojë studentë universitarë për oficerë zbulimi


Gazeta Uashington Post shkruan se administrata Obama do të propozojë një program të ri për të trajnuar studentët në universitetet amerikane që të bëhen oficerë zbulimi.

Sipas gazetës, drejtori i zbulimit amerikan, Denis Bler, i ka dërguar tashmë Kongresit një përshkrim të programit. Uashington Posti citon zotin Bler të ketë thënë se ideja është që të përgatiten amerikanët e brezit të parë e të dytë, të cilët kanë aftësi gjuhësore dhe njohin kultura të huaja për të bërë karrierë në agjencitë e zbulimit.

Ky program ka për qëllim të përgatisë rekrutë të kualifikuar, që mund të punojnë në ambjente në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Jugore për të mësuar më shumë rreth grupeve terroriste dhe rrjeteve kriminale.

Në bazë të programit, shkruan gazeta Uashington Post, shkollat do të aplikojnë për ndihma që të krijohen ose zgjerohen kurset, që do të jepnin hollësi rreth dijenive të nevojshme për punën në fushën e zbulimit, përfshirë klasa në gjuhë të huaja, analiza dhe njohuri në fushën shkencore dhe teknike. (ze)

XS
SM
MD
LG