Lidhje

Medvedev: Rusia, kushte për shkurtimin e arsenalit strategjik


Presidenti rus Dmitri Medvedev tha se Rusia është e gatshme të shkurtojë arsenalin e saj bërthamor nëse Shtetet e Bashkuara zbutin shqetësimet e Moskës rreth instalimit të një sistemi amerikan për mbrojtjen nga raketat në Europë.

Presidenti rus Dmitri Medvedev thotë se Moska do ta ulte akoma më shumë numrin e mbushjeve bërthamore se sa kufiri i parashikuar në Traktatin për Pakësimin e Armëve Strategjike që Rusia po rinegocion tani me Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Medvedev i bëri komentet dje në Amsterdam pas takimit me Kryeministrin e Holandës.

Presidenti rus tha se vendi i tij këmbëngul për arritjen dhe gjetjen e një marrëveshjeje të efektshme dhe të kontrollueshme për pakësimin e numrit të armëve bërthamore që zotërojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia. Ai tha gjithashtu se Rusia është e gatshme të ulë arsenalin e saj bërthamor nën nivelet e përcaktuara nga Traktati për Pakësimin e Armëve Strategjike i vitit 1991.

Sipas këtij traktati, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia binin dakord që deri në vitin 2012, të shkurtonin arsenalet e tyre deri në nivelin mes 1,722 dhe 2,200 mbushjeve bërthamore për secilin vend.

Këtij traktati i skadon afati në muajin dhjetor.

Por, tha zoti Medvedev, Moska nuk mund ta bëjë dot këtë nëse Shtetet e Bashkuara nuk tregohen transparente rreth planeve të tyre për instalimin e një sistemi të mbrojtjes kundër raketave në Europë.

“Çdo gjë do të varet nga raketat amerikane të planifikuara për Europën. Rusia nuk është dakord me planet amerikane për krijimin e një sistemi global të mbrojtjes nga raketat. Rusia do ta pakësojë arsenalin e saj vetëm nëse Shtetet e Bashkuara zbusin shqetësimet e Moskës.”

Rinegociimi i traktatit të tanishëm Start pritet të jetë një ndër temat kryesore të diskutimeve kur Presidenti Barak Obama të bëjë vizitën e tij të parë si president në Rusi muajin e ardhshëm. Zoti Obama e ka bërë arritjen e një marrëveshjeje për pakësimin e armëve bërthamore një element qendror të planeve të tij për të përmirësuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë të cilat u keqësuan mjaft gjatë ndërhyrjes ushtarake ruse në Gjerogji vitin e kaluar.

Të dy vendet do të mbajnë javën e ardhshme në Gjenevë një raund të tretë bisedimesh për gjetjen e marrëveshjeje të re e cila të zëvendësonte traktatin e tanishëm Start. //ii

XS
SM
MD
LG