Lidhje

Intervistë me Kristaq Turtulli, autor i një libri të ri në anglisht


Rrjetet e mëdha amerikane dhe kanadeze të shitjes së librave vunë në qarkullim kohët e fundit variantin në anglisht të romanit “Hani me dy porta”, të shkrimtarit Kristaq Turtulli, i cili jeton në Kanada. Në një intervistë që i dha nga Torontoja Zërit të Amerikës, zoti Turtulli thotë se ishte një zë i brendshëm që e mundonte për ta shkruar dhe botuar romanin e tij në anglisht.

Zëri i Amerikës: Çfarë mendoni se sjell të re ky roman në botën anglishtfolëse dhe në një treg të mbingopur me libra dhe me letërsi?

Kristaq Turtulli: Fluksi i botimeve në Amerikë dhe në Kanada është shumë i madh. Ka botime të mira dhe dinjitoze si Ken Follet, i cili është mjeshtër i zbërthimit të botës shpirtërore. Por ka edhe botime të tipit “french fries” dhe prej tyre ka edhe që janë bestseller këtu në Kanada si dhe në Amerikë. Janë libra të mbushura me strese, ankthe, vampirë dhe për mendimin tim ato luajnë me ndjenjat e njerëzve sidomos tek rinia, e cila është e brishtë. Romani “The Inn with Two Doors” – “Hani me dy porta”, sjell një mendësi të re shqiptare tek lexuesi anglishtfolës i cili nuk është shumë i informuar me këtë lloj letërsie dhe arti. Përsa i përket kësaj vepre, ishte një zë i brendshëm që më mundonte për ta shkruar dhe përkthyer në anglisht.

Zëri i Amerikës: “ Hani me dy porta” është një libër për vuajtjen njerzore nën një regjim totalitar. A keni patur parasysh thjesht vuajtjet e shqiptarëve nën diktaturë apo diçka më universale?

Kristaq Turtulli: Diktatura në Shqipëri ishte ndër më të ashprat në Evropën Lindore dhe la pasoja në popull. Pikënisjen e mora nga një ngjarje reale e ndodhur shumëvite më parë, rreth viteve 50 në Shqipëri, në burgun e Korçës. Atje, në biruca, lindi një djalë të cilin e takova vite më vonë. Takova edhe nënën e tij e cila ishte shumë e rëgjuar dhe e sëmurë. Por arti ka mision përgjithësues, të pasqyrojë dhe të japë një hapësirë më të madhe, pra të pasqyrojë me forcë dhe vërtetësi vuajtjet e njerëzve nga sistemi totalitar. Diktaturat e çdo lloj ngjyre kanë të njëjtën fytyrë, një mekanizëm: persekutimin e njeriut, të së drejtës, të lirisë dhe së vërtetës. Unë qëllimisht nuk kam vënë emra të përveçëm te romani im Hani me Dy Porta. Në vepër është lufta midis të mirës dhe të keqes, midis shtazërisë dhe fisnikërisë. Vetë grupi botues shprehu mendimin që ky roman është hymn për jetën.

Zëri i Amerikës: Kur flasim për letërsinë shqipe të perkthyer jashtë Shqipërisë, gjithnjë mendja na shkon te dy-tre shkrimtarë, mes të cilëve më i përmenduri është Ismail Kadare. Përse nuk ka më tepër botime të letërsise shqipe jashtë vendit?

Kristaq Turtulli: Kadareja me të drejtë është botuar në shumë vende të botës. Ai është kolosi i letërsisë shqiptare. Arti i tij është vërtet i madh. Ai u botua në Perëndim shumë vite më parë dhe atëhere kushtet ishin shumë lehtësuese për të. Gjithashtu Fatos Kongoli e ndonjë tjetër. Tani është ndryshe; janë përpjekjet individuale të artistit i cili duhet të trokasë te botuesi. Në të njëjtën kohë, botuesit nuk i intereson nëse je i njohur dhe ke botuar një vepër të mirë në vendlindje. Ai i bën hesapet mirë përpara se të botojë librin tënd sepse afaristi nuk e pranon humbjen. Megjithatë, shumë vepra që janë botuar në Shqipëri janë dinjitoze dhe shpresoj se një ditë do ta shohin dritën e botimit për publikun anglishtfolës aq më tepër që këtu në Kanada dhe Amerikë shikon jo pak vepra të dobëta.

Zëri i Amerikës: Jam i sigurt se fatin tuaj që botoni një roman në Kanada dhe në Amerikë në gjuhën angleze do ta dëshironin shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë. Që të botohen jashtë, a duhet të shkruajnë ata për subjekte të cilat i përshtaten publikut perëndimor?

Kristaq Turtulli: Dëshira e çdo artisti është t’i dalë në dritë vepra e shkruar në gjuhën amtare dhe pastaj, në rastin konkret, në gjuhën angleze. Por duhet shumë punë dhe përpjekje. Shkrimtari është i lirë të shkruajë atë që ndjen dhe atë që përjeton, nuk ka kurrë receta. Jeta është e mbushur me subjekte nga më të larmishmit. Shkrimtari mund të alternojë mbresat që ka patur në vendlindje me atë çfarë gjeti këtu dhe shumë probleme të tjera. Por e rëndësishme është që një vepër të jetë dinjitoze, e shkruar me art dhe shpejt a vonë ajo do ta gjejë dritën e botimit dhe suksesin e vet. //ii

XS
SM
MD
LG