Lidhje

Qindra në Europë dhe SHBA solidarizohen me protestat në Iran


Qindra njerëz u mblodhën dje në vende të ndryshme të Europës si dhe në Shtetet e Bashkuara për të treguar solidaritetin e tyre me protestat e opozitës në Iran.

Udhëheqësit perëndimorë ndërkohë bënë thirrje që qeveria iraniane të tregohet e përmbajtur në reagimin e saj ndaj demonstratave.

Në Gjermani, disa qindra njerëz, mes tyre edhe iranianë, marshuan nëpër rrugët e Berlinit duke kërkuar hetime rreth akuzave për manipulime në zgjedhjet parlamentare të Iranit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se Gjermania është në anën e popullit iranian. Ajo i bëri thirrje qeverisë së Iranit të lejojë demonstratat paqësore.

Në Francë, demonstruesit u mblodhën përballë ambasadës iraniane për të protestuar kundër dhunës në Iran.

Presidenti francez, Nikola Sarkozi kritikoi ashpër shtypjen e protestave nga qeveria duke thënë se kjo është e pajustifikueshme.

Ministri i jashtëm italian Franco Frattini i kërkoi qeverisë së Iranit të marrë masa menjëherë për të gjetur një zgjidhje paqësore të krizës së brendshme. Ndërsa një zëdhënës i ministrisë së jashtëme spanjolle tha se autoritetet iraniane duhet ta zgjidhin çështjen e manipulimit të votimeve me transparencë të plotë.

Dje demonstruesit u mblodhën edhe në nju Jork, një ditë pasi Presidenti Barak Obama i bëri thirrje qeverisë së Iranit “të ndalë çdo veprim të dhunshëm dhe të padrejtë kundër popullit të vet”, reagimi më i fortë deri tani i zotit Obama ndaj trazirave në Iran.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se Presidenti u takua përsëri dje me këshilltarët e politikës së jashtëme për t’u informuar mbi gjendjen në Iran.//ii

XS
SM
MD
LG