Lidhje

Kosova në procesin e liberalizimit të vizave


Në një debat që u mbajt sot në Prishtinë, ambasadorja e Çekisë në Kosovë, Janina Hrebickova, vendi i së cilës udhëheq presidencën e Bashkimit Evropian, tha se ky Bashkim nuk është i interesuar që ta lejë Kosovën të izoluar nga vendet fqinje të saj në procesin e liberalizimit të vizave.“Është shumë e qartë dhe ne kemi dëshmi se Kosova është pjesë e këtij procesi dhe të gjithë ne po punojmë që të gjejmë një mënyrë sesi ta ndihmojmë Kosovën në këtë rrugë. Kjo është fakt. Bashkimi Evropian dhe Republika Çeke e kanë bërë të qartë disa herë se Kosova nuk duhet të mbetet prapa kur të gjitha vendet fqinje të saj do të ecin përpara”, thotë zonja Hrebickova. “Unë mund t’ju siguroj se Bashkimi Evropian është i vendosur që të mos lejojë një izolim të tillë, jo vetëm për shkak të Kosovës, jo vetëm për shkak të qëndrueshmërisë dhe sigurisë në rajon, dhe jo për shkak të migrimeve të mundshme, por edhe për hir të vlerave të vet Bashkimit Evropian dhe për sigurinë e tërësishme të Evropës”.

Ministri i Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti, thotë ndërkaq se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në përmbushjen e kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Në këto kushte përfshihen edhe pasaportat biometrike, por të cila qytetarët e Kosovës ende nuk i kanë. Ministri Pajaziti tërheq vërejtjen se nuk janë pasaportat kushti i vetëm që institucionet e Kosovës duhet plotësuar në këtë proces. “Teknikisht nuk jemi larg vendeve të rajonit sa i përket liberalizimit të vizave. E dini që kohëve të fundit është përmendur shumë kjo çështje por tani më shumë se kurrë është mirë që të përmendet ky proces. Shpeshherë, kur është përmend ky proces më shumë është nënkuptuar si çështje teknike vetëm formati i pasaportës, pra pasaporta biometrike,dhe rrallëherë e kemi parë në opinion të prezantuar këtë çështje ashtu siç është”.

Verena Knaus nga Nisma Evropiane për Stabilitet, shpjegon dy mënyra përmes së cilave edhe qytetarët e Kosovës do të mund të përfitonin lehtësimin e vizave për në vendet e Bashkimit Evropian. “Janë dy zgjidhje në këtë problem të vështirë: E para është se ju duhet të pranoni se nëse Komisioni Evropian nuk ka politika të caktuara për sa i përket Kosovës dhe Serbisë, dhe nëse disa vende anëtare të Bashkimit evropian vazhdojnë të insistojnë se qytetarët e Kosovës janë qytetarë të Serbisë atëherë ju mund të keni pasaporta të Serbisë. Por nëse ju nuk e dëshironi këtë, atëherë ju vërtetë duhet ta ofroni një udhërrëfyes të qartë për Kosovën në liberalizimin e vizave. Dhe kjo besoj se do të ishte zgjidhja më e mirë e cila do të zgjidhte po ashtu dy çështje, përmirësimin e politikave dhe po ashtu edhe menaxhimin e kufijve, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit etj…”, thotë zoti Knaus.

Mosnjohja e Kosovës nga pesë vende të Bashkimit Evropian e vështirëson procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës në një periudhë kur në këtë proces po përfshihen të gjithë fqinjët e saj, duke rrezikuar siç u tha edhe në debatin e sotëm, izolimin e shtetit të ri. //rd//

XS
SM
MD
LG