Lidhje

Presidenti Obama ashpërson gjuhën ndaj Iranit


Presidenti Barak Obama ka përdorur gjuhën më të ashpër deri më tani kur i është referuar dhunës pas zgjedhjeve presidenciale në Iran. Pjesa më e madhe e konferencës për shtyp të presidentit iu kushtua pyetjeve rreth përgjigjes amerikane ndaj veprimeve të dhunshme të Teheranit.

Presidenti Obama e filloi konferencën për shtyp duke folur direkt për përgjigjen e dhunshme të qeverisë ndaj protestuesve në Teheran.

"Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar janë të indinjuar dhe të zemëruar nga kërcenimet, rrahjet dhe arrestimet e protestuesve në Iran gjatë ditëve të fundit. Unë i dënoj fuqishëm këto veprime të padrejta dhe ashtu si çdo amerikan trishtohem për çdo jete të pafajshme që është humbur".

Zoti Obama ka qenë nën presionin e republikanëve dhe demokratëve për të reaguar më fuqishëm mbi shtypjen e Teheranit ndaj atyre që po protestojnë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Iran. Por presidenti thotë se ai ka mbajtur një qëndrim të matur për të shmangur atë që do të dukej si ndërhyrje e Shteteve të Bashkuara në çështjet e brendshme të Teheranit.

"Por, unë jam vetëm president i Shteteve të Bashkuara. Unë kam përgjegjësi për të siguruar që të përparojmë interesat tona të sigurisë kombëtare, dhe që të mos përdoremi si mjet nga vendet e tjera".

Media iraniane njofton se Këshilli i Gardianëve i qeverisë nuk do të anullojë rezultatet e zgjedhjeve të javës së kaluar në të cilat u shpall një fitore bindëse për presidentit Mahmud Ahmadinexhad. Kandidati reformist për president Mir Hossein Musavi thotë se ai fitoi dhe pohon se rezultatet e zgjedhjeve ishin të fallsifikuara. Zoti Obama thotë se çështja kryesore e Iranit nuk duhet të jetë përgjigjëja e Shteteve të Bashkuara por ajo e njerëzve në Iran.

"Ka pikëpyetje të rëndësishme rreth legjitimitetit të zgjedhjeve dhe si përfundim, gjëja më e rëndësishme për qeverinë e Iranit që të marrë në konsideratë është legjitimiteti i saj përball njerëzve të saj"

Së paku 17 njerëz janë vrarë në protesta që nga përfundimi i zgjedhjeve. Zoti Obama shprehu ngushëllimet e tij për njërin nga të vrarët, një vajzë e re me emrin Neda Agha Soltan. Presidenti tha se videoja në të cilën shihet qartë se si është vrarë ajo, po qarkullon në të gjithë botën dhe ajo paraqet një "pamje tronditëse".

"Është shumë e dhimbshme dhe mendoj se çdo njeri që e shikon këtë video e ka të qartë se në të ka diçka që thelbësisht është e padrejtë".

Presidenti thotë se në se Irani e zgjedh rrugën që përmbush normat dhe parimet ndërkombëtare, atëherë Shtetet e Bashkuara janë të interesuara në zbutjen e marrëdhënieve që për 30 vjet kanë qenë të acaruara mes dy vendeve.//kk//


XS
SM
MD
LG