Lidhje

Presidenti Obama nënshkruan një ligj të rëndësishëm kundër duhanit


Presidenti amerikan Barak Obama nënshkroi një ligj të ri dhe të rëndësishëm që rregullon industrinë e duhanit në vend. Ligji i ri do t'i japë mundësi qeverisë federale të rregullojë prodhimin dhe shitjen e cigareve dhe produkteve të tjera të duhanit:

Legjislacioni më i fuqishëm kundër konsumit të duhanit në historinë e Shteteve të Bashkuara u kthye në ligj me nënshkrimin e presidentit, dekada pas kohës kur për herë të parë u mësua për dëmet që shkakton duhani.

Kjo masë nuk e penalizon duhanin dhe nuk e kufizon vënien në dispozicion të prodhimeve të duhanit për të rriturit. Por do të ketë një ndikim të madh në mënyrën se si prodhohen dhe shiten cigaret, veçanërisht për të rinjtë.

Presidenti Obama thotë se ky ligj synon të mbrojë fëmijët.

"Çdo ditë, 1,000 të rinj nën moshën 18 vjeç bëhen konsumatorë duhani. Dhe gati 90 përqind e atyre që pijnë duhan fillojnë ta konsumojnë atë para se të mbushin 18 vjet".

Presidenti thotë se ai e njeh shumë mirë këtë problem.

"Unë kam qenë njëri nga këta të rinj dhe e di se sa e vështirë është t'i japësh fund këtij vesi kur ai ka qenë me ty për një kohë të gjatë. Dhe e di se sot të rinjtë nuk fillojnë të pijnë duhan pa ndonjë arsye pasi ata vihen ashpërsisht në shënjestër nga industria e duhanit."

Për të parën herë, një agjenci qeveritare si Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve ose FDA-ja do të ketë autoritet të rregullojë prodhimet e duhanit.

Zoti Obama nënvizoi se sipas ligjit të ri, FDA-ja mund të ndalojë disa substancave shtesë në cigare dhe të kufizojë teknikat e reklamimit të përdorura nga kompanit e duhanit.

"Ky ligj do të kufizojë mundësitë e kompanive të duhanit për të reklamuar prodhimet e tyre tek fëmijet tanë duke përdorur shije nxitëse. Do t'i detyrojë këto kompani të paraqesin më qartësisht dhe publikisht efektet vdekjeprurëse të prodhimeve të tyre."

Presidenti e nënshkroi ligjin në një ceremoni në ambientet e Shtëpisë së Bardhë i shoqëruar nga anëtarët e Kongresit dhe përfaqësuesit e grupeve lobuese të shëndetit duke përfshirë edhe tre fëmijë nga organizata "Fushata për Fëmijë të paprekur nga duhani".//kk//

XS
SM
MD
LG