Lidhje

OKB: Më shumë duhet bërë për të ndihmuar gratë e zhvendosura


Kombet e Bashkuara vlerësojnë se ka afërsisht 42 milion refugjatë të cilët jetojnë në 115 vënde të ndryshme, ku gratë dhe fëmijët përbëjnë shumicën më të madhe të tyre. Megjithëse të gjithë personat e zhvendosur përballen me rreziqe dhe humbje të mëdha, grave dhe fëmijëve u kanoset edhe rreziku i shfrytëzimit, përdhunimit apo abuzimit. Sipas komisionerit të lartë për refugjatët të Kombeve të Bashkuara, apo Organizatave të tjera për refugjatë, mbrojtja e grave dhe e vajzave ka nevojë për më tepër fonde dhe një angazhim më të madh e afatgjatë. Zyrtarët shprehën shqetësimin e tyre gjatë një takimi me përfaqësues të Kongresit Amerikan.

Kur ndodh një krizë humanitare, komuniteti ndërkombëtar reagon shpejt duke siguruar ndihma ushqimore dhe strehë për refugjatët që janë më pranë rrezikut. Por komisioneri i lartë për refugjatët në Kombet e Bashkuara Antonio Guterres, thotë se duhet bërë më tepër për të mbrojtur gratë dhe vajzat. Ai tregon historinë e një vajze e cila ishte sulmuar në Kongo.

"Ajo u përdhunua nga një grup burrash të armatosur, njëri pas tjetrit. Në një moment djali i saj 18 apo 20 vjeçar afrohet, dhe vritet duke u qëlluar me armë nga burrat të cilët po përdhunonin mamanë e tij. Kur lajmi i mbërrin bashkëshortit të saj, ai vdes nga një sulm në zemër".

Zoti Guterres thotë se duhet bërë më tepër për të shpëtuar jetët e grave dhe vajzave që ndodhen në këto kampe refugjatësh. Nevojitet më tepër ndihmë e drejtpërdrejt, më tepër mbrojtje, më tepër trajnime dhe më shumë mundësi ekonomike.

Shtetet e Bashkuara janë të parët në botë për nga sasia e ndihmës që i jepin refugjatëve. Presidenti Barak Obama kohët e fundit premtoi se do të japë 110 milion dollarë ndihmë për 2 milion pakistanezët që janë zhvendosur nga luftimet në Luginën Suat të vendit. Presidenti i organizatës Refugees International, Kenneth Bacon, thotë që fondet e dhëna nuk

"Unë mendoj se historitë e personave të zhvendosur dhe refugjatëve janë histori universale dhe prekin zemrat e të gjithëve ne. Prandaj mendoj se njerëzit e kuptojnë vuajten që shkakton ky fenomen dhe duan të ndihmojnë sa të munden. Por, mundësia për të ndihmuar në këto kohë të vështira ekonomike është më vogël, si për shtetet ashtu edhe për individët, megjithatë unë mendoj se dëshira për të ndihmuar vazhdon ekzistojë".

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët thotë se në Darfur ka disa zona në të cilat komuniteti ndërkombëtar e ka shumë të vështirë të veprojë.

"Nuk besoj se në Darfur do të ketë përparim të rëndësishëm në një të ardhme të afërt. Prandaj parashikimi im është që në Darfur gjërat do të keqësohen para se përmirësohen".

Për të mbrojtur gratë dhe vajzat, komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të mbajë nën presion regjimet shtypëse, dhe të mbështesë programet e ndihmave, edhe pasi kulmi i krizës ka kaluar, apo vëmendja e mediave eshtë spostuar diku tjeter. //iç//


XS
SM
MD
LG