Lidhje

Teheran: Policia shpërndan me forcë protestuesit


Policia iraniane nuk i lejoi protestuesit të mblidheshin dje në kryeqytetin Teheran ndërkohë që udhëheqësi suprem i vendit ritheksoi se autoritetet nuk do të përulen para kërkesave për zgjedhje të reja.

Dëshmitarë okularë thanë se policia përdori forcën për të shpërndarë qindra njerëz që u mblodhën pranë parlamentit të Iranit për një protestë tjetër kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Dëshmitarët i thanë Zërit të Amerikës dhe agjencive të tjera të lajmeve se forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe shkopinj gome si dhe qëlluan me armë për të shpërndarë njerëzit.

Në një fjalim që mbajti dje në Parlament, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei, tha se ngul këmbë që të zbatohet ligji për zgjedhjet. Ai tha se as qeveria dhe as vendi nuk do të lëshojë pe përpara presionit me çdo çmim.

Media iraniane njoftoi dje se Këshilli i Gardianëve nuk do t’i anulojë rezultatet e zgjedhjeve të 12 qershorit.

Qeveria iraniane vazhdon të mbajë një prani të madhe policore nëpër rrugë sidomos pas ngjarjeve të së shtunës, gjatë të cilave nga përplasjetg mes policisë dhe demonstruesve u vranë të paktën 10 persona. Qindra njerëz janë arrestuar.

Në Uashington, disa ekspertë për Iranin u thanë anëtarëve të senatit se lëvizja opozitare në Iran pritet të vazhdojë megjithë shtypjen e qeverisë.

Një analist tha se opozita e kupton se hapi tjetër i saj do të jetë të verë në shënjestër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit. Ai tha se protestuesit kanë bërë thirrje për greva në industri të tilla të rëndësishme si nafta. //ii

XS
SM
MD
LG