Lidhje

BE anulon raundin e bisedimeve për Kroacinë


Bashkimi Evropian anulloi raundin e ardhshëm të bisedimeve të anëtarësimit me Kroacinë, që ishte planifikuar për të premten, pasi ky vend nuk zgjidhi një mosmarrëveshje kufitare me fqinjin e vet, Slloveninë.

Zyrtarët e BE-së bënë një deklaratë sot, por nuk caktuan ndonjë datë të re për zhvillimin e takimit. Në deklaratë shprehej keqardhje për faktin që, megjithë përpjekjet e vazhdueshme të BE-së për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje, nuk është bërë përparim në bisedimet e anëtarësimit.

Vendimi pritej pas dështimit javën e kaluar të përpjekjeve të BE-së për ndërmjetësimin e mosmarrëveshjes kufitare mes Kroacisë dhe Sllovenisë.

Që nga pavarësia prej ish-Jugosllavisë në vitin 1991, të dy vendet kanë patur vazhdimisht mosmarrëveshje lidhur me kufirin rreth Gjirit të Piranit, në detin Adriatik.//lk

XS
SM
MD
LG