Lidhje

Majkëll Xhekson 1958-2009


Ylli botëror i muzikës pop, Majkëll Xhekson provoi momente kulmore por edhe pika të ulta në jetën e tij e cila u shoqërua nga vemendja e pandërprerë e medias.

Xhekson, i njohur për lëvizjet e tij sensacionale në skenë dhe për këngët ku shkriheshin muzika pop, rok dhe soul, fitoi emër shumë shpejt në jetë me grupin që përfshinte edhe katër vëllezërit e tij të njohur me emrin “The Jackson Five”. Por ai u bë një superstar i vërtetë në adoleshencën e vonë kur karriera e tij solo çoi në prodhimin e albumeve të tillë si "Off the Wall," në vitin 1979 dhe "Thriller," në 1982, të cilat u bënë ndër albumet më të shitura të të gjitha kohrave.

Xhekson u shqua edhe për novacione qysh herët në botën e videove muzikore kur ky zhanër filloi të zhvillohej në fillim të viteve 80. Videot e tij për albumin "Thriller" përfshinin lëvizje të ndërlikuara kërcimi dhe disa herë edhe formën e një tregimi, gjëra që nuk ishin bërë ndonjëherë më parë.

Ai krijoi një stil të tillë kërcimi që përfshinte teknika të pantomimës, lëvizje super të shpejta dhe një ecje karakteristike e njohur si “Ecje në Hënë”. Kjo ecje i magjepste shikuesit – Xhekson rrëshqiste prapa ndërkohë që dukej sikur lëvizte përpara. Edhe stili i tij i të kënduarit ishte po aq i veçantë – aty shkriheshin balada të musikës soul me lëvizje kërcimi të shoqëruara me klithma të mprehta.

Xhekson ka qenë mjaft i njohur edhe në fushën e filantropisë gjatë viteve 80. Në vitin 1985 ai ndihmoi në organizimin e nismës “SHBA për Afrikën” për luftën kundër urisë në kontinetin afrikan, duke grumbulluar këngëtarët më të famshëm të kohës për të interpretuar himnin "We Are the World," i cili u shkrua posaçërisht për këtë qëllim dhe u bë ndër këngët më të shitura.

Por në jetën private, Majkëll Xhekson ishte një njeri i tërhequr nga bota dhe ekcentik. Ai e portretizonte veten si personazhi për fëmijë Peter Pan duke thënë se nuk kishte patur kurrë rast të shijonte fëmijërinë. Ai e rrethonte veten me fëmijë dhe shkoi deri aty sa ndërtoi një park lojrash madje edhe një kopsht zoologjik në territorin e shtëpisë së tij në Kaliforni. Gjatë gjithë jetës së tij si i rritur ai bëri një sërë operacionesh plastike për të ndryshuar hundën dhe mjekrën duke e ndryshuar në mënyrë dramatike krejt fytyrën.

Xhekson u martua dy herë, së pari në vitin 1994 me Lisa Marie Presley-n, vajzën e legjendës së rokut, Elvis Presley; më pas me një grua të panjohur, Debbie Rowe, e cila ishte nëna e dy fëmijëve të tij të parë. Asnjëra martesë nuk zgjati më shumë se 3 vjet.

Xhekson pati edhe një fëmijë të tretë, siç thuhet me një grua të panjohur. Por ndërkohë, ai u akuzua për marrëdhënie të pahijshme me fëmijë dhe në vitin 2005 ai u shpall i pafajshëm nga akuzat për ngacmim seksual. Problemet e tij ligjore çuan në probleme financiare dhe tërheqje nga sytë e njerëzve.

Xhekson kishte në plan të fillonte një seri koncertesh këtë vit në Londër të cilat do të shënonin rikthimin e tij në skenë. Biletat e shfaqjeve u shitën brenda pak minutash në muajin mars.//ii

XS
SM
MD
LG