Lidhje

Iran: Kleriku Khatami bën thirrje për dënimin e protestuesve


Një klerik i lartë iranian i bëri thirrje qeverisë që të dënojë rëndë udhëheqësit e protestave pas zgjedhjeve presidenciale të 12 qershorit.

Në lutjet e së premtes sot në Universitetin e Teheranit, kleriku Ahmad Khatami tha se protestuesit duhet të përballen me përgjigje të ashpër dhe pa mëshirë. Ai akuzoi gjithashtu gazetarët e huaj për nxitjen e demonstratave.

Të premten, organi më i lartë legjislativ i Iranit hodhi poshtë akuzat për mashtrimin e votave, duke i cilësuar zgjedhjet e kontenstuara të 12 qershorit si më të pastrat e më të rregulltat që janë zhvilluar ndonjëherë në vend.

Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA tha se Këshilli i Gardianëve nuk gjeti shkelje të rënda në zgjedhjet, që nxorrën fitues presidentin e tanishëm, Mahmoud Ahmadinejad.

Kandidati i mundur në zgjedhjet presidenciale të Iranit Mir Hosein Musavi deklaroi se do t’i rezistojë presionit që po i bëhet për të hequr dorë nga kundërshtimi i rezultatit të zgjedhjeve.

Në një deklaratë në faqen e internetit të gazetës së tij, Zoti Musavi tha se nuk do të heqë dorë nga mbrojtja e të drejtave të popullit iranian. Ai tha se po i bëhen presione për të hequr dorë nga kundërshtimi i rezultatit të zgjedhjeve por u bëri thirrje mbështetësve të vazhdojnë protestat me mënyra që nuk krijojnë tensione.

Udhëheqësi i opozitës, i cili nuk është parë në publik prej thuajse një jave, tha gjithashtu se mundësitë e tij për të kontaktuar përkrahësit janë kufizuar plotësisht. //bsa//

XS
SM
MD
LG