Lidhje

Vazhdon gjendja e tensionuar në Iran


Gjendja vazhdon të jetë e tensionuar in Iran, ku dëshmitarët okularë thanë se policia përdori dje shkopinjtë e gomës dhe armët e zjarrit për të shpërndarë një grumbull të vogël njerëzish, që u mblodhën pranë selisë së parlamentit për të protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve. Vendet perëndimore i kanë shtuar kritikat ndaj përdorimit të forcës nga ana e Teheranit për të shtypur demonstratat. Megjithatë, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Kamenei, tha të mërkurën se rezultati i zgjedhjeve qëndron, madje u zotua përsëri se nuk do t’i nënshtrohet presionit të protestuesve apo komunitetit ndërkombëtar.

Protestat masive, që karakterizuan valën fillestare të kundërshtimit ndaj rezultatit të zgjedhjeve të kontestuara në Iran, kanë marrë fund. Ato u zëvëndësuan nga përleshje të dhunshme e disa herë vdekjeprurëse, që sipas përllogaritjeve zyrtare u kanë marrë jetën të paktën 17 vetëve. Ndërsa është vështirë të verifikohen, video të reja, që i janë dërguar Zërit të Amerikës, tregojnë protestuesit, që marshonin dje pranë selisë së parlamentit, me thirrjet "vdekje diktatorit."

Protestuesit e akuzojnë qeverinë konservatore për vjedhjen e votave nga kandidati reformist, Mir Hossein Mousavi. Ata kërkojnë anullimin e rezultatit dhe përsëritjen e zgjedhjeve. Megjithëse qeveria ka pranuar parregullsi në të paktën 50 distrikte, Ajatollah Ali Khamenei eleminoi dje mundësinë e një kompromisi, duke cituar ligjin e vendit.

Megjithë njoftimet për demonstrata të reja, kërcënimet për arrestime dhe ndalimi i njoftimit nga mediat e pavarura e kanë bërë të vështirë konfirmimin e ngjarrjeve. Sipas disa burimeve, zoti Musavi po distancohet nga protestat, por disa ekspertë thonë se reformistët po presin për momentin e përshtatshëm. Gjatë një diskutimi, që u zhvillua në Uashington, Abbas Milani, drejtor i Studimeve iraniane në Universitetin Stanford, tha se mbështetja për Presidentin Mahmoud Ahmadinejad është e dobët dhe kufizohet kryesisht tek besnikët, që kanë përfituar nga të ardhurat e naftës së vendit.

“Pjesa tjetër, 75 për qind, mendoj se po presin për një shenjë tjetër se aftësia e rregjimit për të vrarë është dobësuar dhe pas kësaj mendoj se do të shikojmë një shpërthim shumë më të madh se sa ai i javës së kaluar”.

Ndërkohë televizioni shtetror thotë se kandidati tjetër presidencial, që humbi në zgjedhje, Mohsen Rezaei, ka tërhequr ankesat për parregullsi në zgjedhje, duke cituar “kufizimet kohore dhe gjendjen shoqërore e politike sensitive të vendit”.

Nëpër botë, mbështetja për protestuesit e Iranit vazhdon të shtohet.Presidenti Obama, i cili u përpoq të shmangte komentet për protestat në Iran, mbajti një qëndrim më të ashpër të martën.

“Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar është indinjuar nga kërcënimet, rrahjet dhe burgosjet e ditëve të fundit”.

Për shkak të zhvillimeve të fundit në Iran, administrata Obama tërhoqi dje ftesat për diplomatët iranianë, që do të mernin pjesë në festimet me rastin e 4 korrikut në ambasadat amerikane.

Por Shtëpia e Bardhë tha se ftesa për të diskutuar mospajtimet serioze mes dy vendeve, është ende në fuqi. //bsa//

XS
SM
MD
LG