Lidhje

Reagime të Lindjes së Mesme ndaj politikës amerikane në rajon


Reagimi ndaj fjalimit të Presidentit Obama mbi politikën amerikane në Lindjen e Mesme, që ai parashtroi gjatë fjalimit që mbajti në Kairo në fillim të qershorit, ka qënë në përgjithësi pozitiv. Në qendër të politikës së tij është ripërtëritja e përpjekjeve për zgjidhjen me dy shtete, krijimi i një shteti palestinez, që do të ekzistonte në paqe krah për krah atij izraelit. Edhe administrata e mëparshme e presidentit Bush mbështeti krijimin e një shteti palestinez, por shihej si në favor të politikave izraelite. Për momentin, Izraeli nuk ka pranuar të ndalojë plotësisht ndërtimin e vendbanimeve, siç ka kërkuar presidenti Obama. Materiali në vazhdim sjell disa reagime të komuniteteve muslimane e hebraike në Shtetet e Bashkuara ndaj politikës së re amerikane.

“E vetmja zgjidhje është që të përmbushen aspiratat e të dyja palëve nëpërmjet ekzistencës së dy shteteve, ku izraelitët dhe palestinezët të jetojnë në paqe e siguri”.

Pas fjalimit të rëndësishëm të presidentit Obama në Kairo, komuniteti musliman dhe ai hebraik në Amerikë po shqyrtojnë domethënien e politikës amerikane në Lindjen e Mesme.

Në xhaminë kombëtare në Uashington, Imam Abdullah Khoug tha se reagimi mes myslimano-amerikanëve ka qënë kryesisht pozitiv. Tani ata duan të shikojnë marrjen e masave për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

“Shumë prej njerëzve me peshë në komunitetin tonë janë të kënaqur me fjalimin e presidentit në Kairo dhe kanë shumë shpresë për të ardhmen, por në të njëjtën kohë këtu qëndron edhe shqetësimi se sa do të zbatohet në praktikë kjo politikë”.

Komuniteti hebraik i Amerikës është më i ndarë.

Në zyrat e gazetës Washington Jewish Week, radaktorja Debra Rubin e sheh fjalimin pozitivisht, por edhe me rezervë.

Ajo thotë se mbështet zgjidhjen me dy shtete, por do që bota arabe të njohë të drejtat historike të Izraelit në tokën e tij. Ajo vë në dyshim deklaratën e Presidentit Obama se legjitimiteti i Izraelit vjen nga Holokausti. Zonja Rubin thotë se Holokausti luajti një rol të rëndësishëm në krijimin e Izraelit, por hebrenjtë kishin lidhje me tokën e tyre mijëra vjet para Holokaustit dhe këto lidhje, thotë ajo, e jo Holokausti, duhet të shërbejnë si bazë e njohjes së Izraelit nga bota arabe.

"Ky argument ushqen në një farë mënyre ndjenjën që ekziston në botën arabe se ekzistenca e Izraelit nuk është legjitime”.

Grupe të tjera izraelite, si për shembull Lidhja Anti-Shpifjeve, nuk janë dakord me kundërshtimin e presidentit Obama për vendbanimet hebraike në Bregun e pushtuar Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë vazhdimin e legjitimitetit të vendbanimeve izraelite. Ndërtimet shkelin marrëveshjet e mëparshme dhe minojnë përpjekjet për arritjen e paqes. Ka ardhur koha që ndërtimi i këtyre vendbanimeve të ndalë”.

Lidhja Anti-Shpifjeve, e cila kishte ndikim gjatë administratës Bush, thotë se vendbanimet nuk janë të paligjshme e as nuk pengojnë arritjen e paqes.

Ori Nir punon për grupin me prirje të majta, Amerikanët për Paqe Tani, i cili kundërshton vendbanimet hebraike dhe mbështet krijimin e një shteti Palestinez në pjesën më të madhe të territoreve të pushtuar. Zoti Nir thotë se grupi i tij është shumë i entuziazmuar nga fjalimi i Presidentit Obama.

Ai thotë se shumica e hebrenjve dhe izraelitëve mbështesin procesin e paqes siç është parashtruar në planin e paqes të vitit 2003, i cili kërkon ndalimin e akteve terroriste nga pala palestineze në këmbim të zgjidhjes me dy shtete.

Zoti Nir thotë se si rezultat i politikës së re amerikane në Lindjen e Mesme, grupet hebraike për paqe po fitojnë ndikim si tek presidenti edhe në Kongresin amerikan.

“Ne kemi një Kongres që mbështet qëndrimin tonë, dhe këtë e ka bërë të qartë dhe vazhdon ta bëjë të qartë se nuk do të jetë peng i organizatave konservatore pro-izraelite apo i qeverisë izraelite për t’ju kundërvënë Shtëpisë së Bardhë”.

Megjithatë Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me qeverinë e Izraelit.

Në një fjalim kohët e fundit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, mbështeti objektivin e krijimit të shtetit palestinez, por ai nuk u angazhua për ndalimin e plotë të ndërtimit të vendbanimeve dhe nuk u prononcua rreth kufijve të shtetit palestinez. Ai iu referua Bregut Perëndimor si “toka e baballarëve tanë”, një tjetër deklaratë kjo që nuk të lë të harrosh se një marrëveshje për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve nuk do të jetë e lehtë. //bsa//

XS
SM
MD
LG