Lidhje

Pano: Shqipëria të tregojë se e ka merituar hyrjen në NATO


Nikolla Pano, Profesor i historisë së Ballkanit në Universitetin e Ilinoit Perëndimor, i tha Zërit të Amerikës se nëse zgjedhjet e 28 qershorit dalin keq, kjo me siguri do të vononte procesin aq të lakmuar nga shqiptarët për të udhëtuar pa viza në vendet e Bashkimit Europian dhe prestigji ndërkombëtar i Shqipërisë do të dëmtohej.

Zëri i Amerikës: Profesor Pano, në Shqipëri çdo zgjedhje është e rëndësishme por ndryshimi kësaj here është se Shqipëria i zhvillon ato si anëtare e NATO-s. Në rast se zgjedhjet nuk shkojnë mirë cilat mund të ishin pasojat?

Nikolla Pano: Me statusin e saj si anëtare e NATO-s, Shqipërisë i duhet të demonstrojë se e ka merituar besimin e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të tjera të NATO-s që i dhanë asaj anëtarësimin. Ky vendim u mor me pritshmërinë se përparimi i shënuar nga Shqipëria në zhvillimin e institucioneve politike, sundimin e ligjit, zgjerimin e ekonomisë së tregut si dhe përpjekjet kundër korrupsionit politik dhe ekonomik do të vazhdonin. Një element i rëndësishëm i luftës për zbatimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri do të jetë mënyra se si do të zhvillohen këto zgjedhje. Ato duhet të jenë patjetër të lira dhe të ndershme. Jo vetëm integriteti i procesit elektoral shërben për të matur shëndetin e demokracisë politike por ka rëndësi në këtë aspekt përqindja e votuesve që do të marrin pjesë. Zgjedhjet parlamentare të zhvilluara me ndershmëri dhe me një pjesëmarrje të lartë do të sillnin një provë bindëse lidhur me përparimin që Shqipëria ka bërë drejt demokracisë. Nëse zgjedhjet dalin keq, kjo do të ishte shenjë që do të tregonte se vendi ka nevojë të bëjë më shumë për të ardhur në nivelin e standardeve si anëtar i NATO-s.

Zëri i Amerikës: A do të ishte dështimi në këto zgjedhje diçka që do t’i vinte në pozitë të vështirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që e pranuan Shqipërinë në NATO?

Nikolla Pano: Natyrisht, ka patur disa kritikë të vendimit që e pranoi Shqipërinë në NATO, të cilët argumentuan se anëtarësimi i Shqipërisë ishte në thelb një dhuratë e Shteteve të Bashkuara për mbështetjen që shqiptarët i dhanë Uashingtonit gjatë luftës në Irak, për faktin se pranuan refugjatët ujgurë, dhe se përgjithësisht ishin simpatizantë të Amerikës. Mendoj se ka edhe faktorë të tjerë që çuan në këtë vendim por sigurisht që këta kritikë të Shqipërisë, si Serbia për shembull, do të gëzoheshin shumë nëse Shqipëria, e cila u bë faktor për pavarësinë e Kosovës, do të kritikohej ashpër. Nëse zgjedhjet zhvillohen jo mirë, kjo do të garantonte vonimin e procesit aq të lakmuar nga shqiptarët për të udhëtuar pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Natyrisht zgjedhjet e zhvilluara me të meta do të vononin procesin e pranimit të Shqipërisë në BE dhe prestigji ndërkombëtar i Shqipërisë do të dëmtohej. Me pak fjalë, dështimi i zgjedhjeve për të arritur stadardet e pritura ndërkombëtare do të kishte pasoja mjaft të ndjeshme negative për vendin.

Zëri i Amerikës: Profesor, të dyja forcat kryesore politike në Shqipëri po shkojnë në zgjedhje me parrullën për ndryshim. Kjo është bërë një parrullë shumë në modë kohët e fundit. A ka arësye të shpresojmë për ndryshim, pavarësisht se cila forcë politike do të vijë në fuqi?

Nikolla Pano: Ndryshimet që do të ndodhin në Shqipëri do të jenë natyrisht ndryshime në udhëheqjen e qeverisë. Në këtë aspekt do të ishte interesante të shihej se si do të vepronin socialistët në rast se fitojnë, pra, a do t’i anashkalojnë ata ligjet për shërbimin publik duke mbushur radhët e burokracisë administrative me njerëzit e tyre, taktikë kjo që u përdor nga demokratët? Përsa i përket politikës në përgjithësi, të dyja partitë do të përpiqen të vazhdojnë të ndjekin programe të tillë si ndërtimi i infrastrukturës dhe inkurajimi i investimeve të huaja, do të përpiqen të reformojnë luftën e qeverisë kundër korrupsionit, të pakën në sipërfaqe. Dhe, ashtu siç shikojmë edhe në Shtetet e Bashkuara apo vendet e tjera europiane, do të ketë grupe të caktuara interesi që do të përfitojnë nga kjo ose nga ajo parti, një prirje që po zhvillohet edhe në Shqipëri. Por përgjithësisht, përtej këtyre aspekteve nuk do të ketë ndryshime. Jam i sigurt se edhe pas këtyre zgjedhjeve, konflikti politik që ka karakterizuar jetën politike shqiptare në demokraci ka shumë të ngjarë të vazhdojë. Do të vazhdojë natyrisht konflikti i tanishëm mes qeverisë qendrore dhe atyre lokale. Ndoshta do të ketë ndonjë ndryshim në thekset por në linjat e përgjithshme të zhvillimit nuk do të ketë ndonjë ndryshim të madh, pavarësisht se cila parti fiton.

Zëri i Amerikës: Demokratët dhe socialistët ende nuk kanë programe të dallueshme qartë dhe kjo ka bërë që edhe kësaj here gara të jetë thjesht mes dy personaliteteve, Sali Berisha dhe Edi Rama, pra mes dy të fortëve. A shikoni një problem shqetësues këtu?

Nikolla Pano: Gjatë gjithë fushatës, zoti Berisha ka thënë se nëse fiton, do t’i japë fund karrierës politike të Ramës. Nuk e di nëse kjo është thjesht retorikë politike apo zoti Berisha do të vazhdojë, nëse del fitues, të thellojë hakmarrjen që ka karakterizuar marrëdhëniet mes këtyre dy individëve. Kjo nuk i shërben interesit të vendit. Nëse zoti Rama do të vazhdojë të mbetet kryetar i Bashkisë së Tiranës, kjo mund të çojë përsëri në disa probleme shumë serioze mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Pra mendoj se këto çështje të personalitetit kanë pasoja shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Do të ishte shumë e shëndetëshme nëse politika do të ishte më pak e personalizuar dhe do të përqendrohej më tepër te çështjet konkrete.

Zëri i Amerikës: Janë qindra mijë njerëz, sidomos në zonat rurale që nuk do të jenë në gjendje të votojnë për shkak të mospajisjes me karta identiteti. Mendoni se kjo e cënon procesin zgjedhor?

Nikolla Pano: Çështja e kartave të identitetit ishte ndër çështjet e vazhdueshme të përgatitjeve për zgjedhjet. Ka patur një numër arësyesh që e shkaktuan këtë problem dhe fajet mund t’ua hedhësh shumë individëve por edhe problemeve që kanë qenë jashtë kontrollit qoftë të qeverisë apo të opozitës. Çështja thelbësore këtu është se do të ketë disa njerëz të cilëve do t’u mohohet rasti për të votuar, pra ata që nuk kanë kartë apo pasaportë. Është e paqartë ndërkaq se sa nga njerëzit që nuk janë të pajisur me kartë por që figurojnë në lista, banojnë jashtë Shqipërisë. Në varësi nga numri i këtyre personave që nuk do të mund të votojnë, nëse pas zgjedhjeve rezultati është i ngushtë, kjo do të ishte një arsye, sidomos për të mundurin, që ta kontestojë rezultatin. Kjo do të ishte një çështje shumë e vështirë për t’u zgjidhur. Shpresoj se gjendja nuk do të arrijë deri aty por është një re që duket në horizont dhe mund të ndikojë në faktin se si do të shihen këto zgjedhje. //ii

XS
SM
MD
LG