Lidhje

Pres. Obama takon ligjvënës të dy partive për imigracionin


Presidenti Barak Obama thotë se është i vendosur të punojë me Kongresin për miratimin e një reforme të gjerë në sistemin amerikan të imigracionit. Korrespodenti i Zërit të Amerikës, Kent Klein, njofton nga Shtëpia e Bardhë ku enjten presidenti diskutoi rreth kësaj çështjeje me ligjëvënës nga të dy partitë:

Presidenti Obama thotë se egzistojnë disa dallime rreth mënyrës se si duhet vepruar për të bërë që reformat e imigracionit të kenë sukses, por ai beson se të gjitha palët janë dakord për një çështje, se sistemi i imigracionit nuk funksionon dhe ka nevojë të rregullohet.

“Ajo që më ka inkurajuar është se pas të gjitha retorikave të nxehta dhe demagogjive kohë pas kohe mbi këtë çështje nga të gjitha palët, ne kemi një grup udhëheqësish të përgjegjëshëm që janë ulur në tryezë dhe që dëshirojnë t’i ndryshojnë gjërat në mënyrë aktive”.

Presidenti u takua me 30 ligjëvënës dhe disa zyrtarë të administratës për të diskutuar rreth mënyrave se si të përmirësohen politikat e imigracionit. Ai tha se ata ranë dakord se Shtetet e Bashkuara duhen të forcojnë kufijtë, të ndërshkojnë ata që punësojnë imigrantë të paligjshëm duke ulur nivelin e pagave dhe të pranojnë e legalizojnë punëtoret pa dokumenta që tashmë kanë hyrë në vend.

Zoti Obama po ashtu njoftoi një nismë për efektivitet më të madhe në proceset e imigracionit dhe të natyralizimit.

“Kjo do t’i kursejë mjaft kohë familjeve të cilat presin në radhë, bëjnë telefonata dhe lihen në pritje sa herë përpiqen të çajnë në sistemin amerikan të imgracionit”.

Presidenti tha se administrata e tij ka procesuar shumicën e dosjeve të aplikantëve për imigracion që kishin ngecur dhe ka shpejtuar përpunimin e kërkesave për nënshtetësi.

Ai tha se njëra ndër aspektet më të vështira në reformën e imigracionit është se si të veprohet me ata që ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

“Në Amerikë ka afro 12 milion punëtorë ilegalë të cilët nuk paguajnë taksa dhe që jetojnë në hije. Ky është një grup për të cilin ne duhet të veprojmë në një mënyrë praktike dhe të logjikshme. Unë mendoj se amerikanet janë të gatshëm që ne të veprojmë në këtë mënyrë”.

Pas takimit me ligjëvënësit, zoti Obama lavdëroi veçanërisht senatorin republikan Xhon Mekejn, të cilin e mundi në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Zoti Mekejn përfaqëson shtetin kufitar të Arizonës ku jetojnë një numër i madh hispanikësh dhe ka qenë ndër zërat kryesorë që kanë kërkuar reformat në imigracion. Presidenti tha se zoti Mekejn ka paguar një kosto të madhe politike për të bërë atë që ishte e drejtë. //bsa//

XS
SM
MD
LG