Lidhje

PD, PS mbyllin fushatën me një thirrje të fundit për votat e shqiptarëve


Forcat kryesore politike në Shqipëri mbyllën të premten fushatën duke u bërë thirrje votuesve që t'i mbështesin në zgjedhjet e së dielës.

Në mitingjet që u mbajtën njëkohësisht dhe në një distancë prej vetëm 500-600 metrash, si kryetari i Partisë Demokratike në pushtet, Kryeministri Sali Berisha, ashtu edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama folën për vizionin evropian të partive të tyre.

Në Sheshin Skënderbej, zoti Berisha u tha simpatizantëve se Evropa është një ëndërrr që e dëshirojnë të gjithë shqiptarët dhe të cilën Partia Demokratike mund të bëjë gjithçka për ta realizuar.

Zoti Berisha përmendi arritjet e qeverisë së tij, duke veçuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke veçuar gjithashtu faktin se Kosova është e pavarur, një ëndërr e të gjithë shqiptarëve siç tha ai dhe duke e lidhur këtë me realizimin e rrugës Durrës-Kukës.

Zoti Berisha përsëriti premtimin për punësimin e 160 mijë shqiptarëve në katër vitet e ardhshme, për ndërtimin e resorteve turistike, për ndërtimin e një rrjeti të fuqishëm energjitik, me ndërtimin e shumë hidrocentraleve, si edhe premtimin për rritjen e rrogave.

Në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, oratorët e tubimit të socialistëve, thanë se është koha që partia e tyre të marrë pushtetin.

Kryetari i partisë më të madhe të opozitës, kryebashkiaku i Tiranës tha se programi qeverisës i PS-së është i shkruar nga vetë qytetarët në "një tur në jashtëzakonshëm qytet më qytet, shtëpi më shtëpi".

Zoti Rama tha se programi i ri qeverisës i socialistëve përmban çdo dëshirë dhe ëndërr të të gjitha moshave për një Shqipëri evropiane. Ai tha gjithashtu se Partia Socialiste do t'u jepte fund të gjitha abuzimeve me pushtetin që siç u shpreh ai, kanë bërë deri tani demokratët.

Të dyja tubimet u mbyllën me muzike dhe fishekzjarre.

Pranë dy tubimeve vihej re një prani e madhe policie për të shmangur ndonjë incident mes simpatizantëve të dy partive.

Nesër një ditë para zgjedhjeve është ditë heshtjeje elektorale. //kk//

XS
SM
MD
LG