Lidhje

Shqipëri: Sot, zgjedhjet për parlamentin e ri


Në Shqipëri votohet sot për parlamentin e ri. Në të gjithë vendin u hapën në orën 7 të mëngjesit qendrat e votimit për 3 milion e 80 mijë zgjedhës.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, procesin zgjedhor do ta ndjekin nga afër 500 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 5 mijë të tjerë vendas, të cilët janë shpërndarë nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë.

Komisioni është lidhur drejtpërdrejt me kamera me qendrat e numërimit të votave në të gjithë vendin për të bërë të mundur që të konstatohen direkt problemet e ndryshme.

Zgjedhjet u papraprinë nga një fushatë e ethshme e koalicioneve të mëdha në pushtet dhe në opozitë. Dhjetra tubime të mëdha e të vogla përfshinë gjithë vendin me fjalime, këngë politike dhe grupe të mëdha njerëzish që duartrokisnin secilën palë.

Partia Demokratike e zhvilloi fushatën me parrullën se Shqipëria po ndryshon si rrjedhojë e investimeve të qeverisjes së saj dhe premtoi investime të tjera. Ndërsa Partia Socialiste e opozitës paraqiti një platformë për një politikë të re e cila sipas saj do të ndryshonte qeverisjen e vendit duke nisur nga një administrim i qendrueshëm i ekonomisë, shëndetësisë, arsimit dhe problemeve shoqërore.

Ministria e Brendshme u bëri ndërkaq thirrje qytetarëve që të marrin pjesë gjerësisht në këto votime dhe të tërheqin gjatë gjithë ditës së dielë kartat e identitetit që janë gati.

OBJEKTIVI: ZGJEDHJE TË NDERSHME

Partitë e kanë përqendruar vemendjen te rezultati i zgjedhjeve por vëzhguesit ndërkombëtarë mendojnë më shumë për cilësinë e procesit zgjedhor, me shpresën se ai do të jetë i lirë dhe i ndershëm. Kjo, sipas tyre, është edhe çështja më e rëndësishme në këto zgjedhje.

Diplomatë dhe institucione perëndimore kanë nxitur vazhdimisht gjatë fushatës qeverinë dhe partitë që të mbajnë zgjedhje të lira e të drejta.

Shqipëria, thonë ata, sapo ka hyrë në aleancën veriatlantike dhe po ecën drejt Bashkimit Europian, ndaj zgjedhjet do të tregojnë shkallën e pjekurisë së institucioneve demokratike shqiptare.

Vlerësimi për standartet e tyre do të jepet nga vëzhguesit e ODIHR-it, të cilët të hënën do të nxjerrin edhe raportin paraprak.

PËR HERË TË PARË SISTEM PROPORCIONAL

Në garën e 28 qershorit marrin pjesë 34 forca politike nga të cilat vetëm njëra konkurron e vetme ndërsa të tjerat janë grupuar në 4 koalicione të mëdha. Votimet mbyllen në orën 7 të mbrëmjes.

Sipas afatit ligjor, numërimi i votave i cili do të bëhet në 66 qendra të posaçme, duhet të mbyllet brenda orës 17 të ditës së hënë. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka afat 48 orë që nga momenti i marrjes së materialeve, për të nxjerrë rezultatin.

Pas mbylljes së qendrave të votimit do te jepen edhe rezultatet e anketave në këto qendra, të ashtuquajturat "exit polls". Janë tre anketa të tilla të porositura nga televionet shqiptare: Top Channel me Zogbi International, TV Klan me Institutin Kosovar Gani Bobi dhe Ora News me kompaninë italiane IPR Marketing.

Në zgjedhjet e sotme konkurojnë mbi 4700 kandidatë.

Për herë të parë Shqipëria voton sipas një sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura në 12 qarqe të vendit sipas ndarjes administrative.

Pragu i votave për çdo deputet luhatet nga një zonë në tjetrën - nga 3.1 përqind në Tiranë deri në 25 përqind në Kukës. Pragu për koalicionet është 5 përqind. //ii

XS
SM
MD
LG