Lidhje

Shqipëri: Priten rezultatet e zgjedhjeve parlamentare


Në Shqipëri priten rezultatet e votimeve për parlamentin e ri, të ciat shihen si zgjedhje me rëndësi kritike për shpresat e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Këto ishin zgjedhjet e shtata që nga rënia e komunizmit në vitet 90 dhe zhvillohen vetëm pak muaj pas hyrjes së vendit në NATO.

Asnjëra nga zgjedhjet e mëparshme nuk i ka plotësuar standardet ndërkombëtare për zgjedhje të drejta e të lira.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se procesi i votimit u zhvillua normalisht, pa njoftime për parregullsi të mëdha.

Pjesmarrja në zgjedhje ishte rreth 40 përqind. Numri i njerëzve me të drejtë vote ishte rreth 3,1 milion.

Anketat e opinionit flisnin për një garë të ngushtë mes Kryeministrit Sali Berisha të Partisë Demokratike në fuqi dhe kryebashkiakut të Tiranës, Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste.

Anketat “exit poll” të zhvilluara me njerëzit që votuan, e venë zotin Berisha përpara socialistëve. Rezultatet e para zyrtare priten të hënën.

Duke hedhur votën e tij, zoti Berisha tha se zgjedhjet do të jenë të drejta e të lira dhe do të sinjalizojnë se shqiptarët janë gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Ndërsa zoti Rama tha se u bënte thirrje shqiptarëve të bëjnë histori.

Të dy rivalët kryesorë kanë deklaruar se do të përpiqen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Të paktën 3 mijë e 500 vëzhgues vendas dhe të huaj po ndjekin procesin zgjedhor.

I dërguari i posaçëm i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh së bashku me ambasadorin amerikan dhe presidentin shqiptar iu drejtuan votuesve përmes një konference shtypi për t’ju përgjigjur preokupimit të tyre për zgjedhje të ndershme.

Ambasadori amerikan Xhon Uidhers tha se është e rendësishme që zgjedhjet të jenë të lira, drejta dhe transparente. Ai tha se dëshira e popullit dhe jo aspiratat e partive politike duhet të jenë parimet themelore të zgjedhjeve.

Shtetet e Bashkuara po financojnë një numrim paralel të votave për të forcuar besimin e njerëzve në rezultatin e zgjedhjeve. //ii

XS
SM
MD
LG