Lidhje

Presidenti Obama shpreh ngushëllime për Majkëll Xhekson


Presidenti Barak Obama, i shprehu ngushëllime familjes së yllit të muzikës pop Majkëll Xhekson, i cili vdiq të enjten.

Dejvid Akselrod, një nga këshilltarët më të lartë të Shtëpisë së Bardhë, duke folur dje në emisionin "Meet the Press" në kanalin televiziv NBC, tha se Presidenti e konsideronte Majkëll Xheksonin si një artist spektakolar, i cili bënte një jetë të trishtueshme.

Familja e Xheksonit deklaroi se do të kërkojë një autopsi të dytë të bërë në mënyre private, për të gjetur shkaqet e vdekjes së papritur të tij. Gazeta Los Angeles Times njofton se autopsia është përfunduar, edhe pse rezultatet e saj nuk janë publikuar ende.

Avokati i mjekut personal të Xheksonit, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press në një intervistë të djelën se klienti i tij e gjeti Xheksonin në shtrat pa ndjenja me një puls tepër të ulët dhe menjëherë u përpoq ta zgjonte e ta nxirrte nga ajo gjëndje. Ai tha se ishte mjeku ai që e kishte këshilluar familjen e Xheksonit të bënte një autopsi të dytë.

Ndërkohë, pas vdekjes së Xheksonit, albumi me hitet më të njohura të tij "Number Ones" ka arritur vendin e parë në klasifikimin e albumeve më të dëgjuara britanike. Po ashtu katër albumet e tjera janë ngritur në listat e klasifikimeve duke u renditur ndër 20 vendet e para.//jd

XS
SM
MD
LG