Lidhje

Koreja e Veriut vazhdon provat me raketa me rreze të shkurtër


Ministria koreano-jugore e Mbrojtjes thotë se Koreja e Veriut hodhi disa raketa nga bregu lindor sot, pas provave të ngjashme gjatë javës.

Raketat besohet se fluturuan nga 400 kilometra secila, duke rënë në Detin e Japonisë. Me një rreze të tillë veprimi, raketat kanë aftësinë që të godasin pjesën më të madhe të Koresë së Jugut dhe ndoshta edhe disa pjesë të Japonisë.

Zyrtarët e Koresë së Jugut thonë se hedhja e raketave shkel rezolutën e fundit të OKB-së që e ndalon Phenianin të hedhë raketa balistike. Ushtria koreano-jugore tha se është e gatshme t'i përgjigjet çdo kërcënimi dhe provokimi koreano-verior.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit the se Pheniani duhet të "mos ndërmarrë veprime që shtojnë tensionet". Ai e quajti të dëmshme hedhjen e raketave.

Koreja e Veriut ka nxjerrë një njoftim ku bën thirrje që anijet të mos i afrohen brigjeve të saj lindore deri të enjten, duke lënë të kuptohet se mund të jetë duke përgatitur hedhje raketash të tjera. //mm//

XS
SM
MD
LG