Lidhje

Amerika, Rusia dhe plani për sistemin e mbrojtjes nga raketat


Rusia kundërshton fuqishëm planin amerikan për të instaluar një sistem të mbrojtjes nga raketat në Europën Qendrore. Kjo çështje do të diskutohet gjatë takimit të nivelit të lartë amerikano-rus në Moskë nga 6 deri më 8 korrik, mes Presidentit Barak Obama dhe presidentit rus Dmitri Medvedev.

Administrata Bush e mbështeti me mjaft entusiazëm sistemin e propozuar prej saj për mbrojtjen nga raketat të përbërë nga 10 interceptorë në Poloni dhe një sistemi radari në Republikën Çeke. Zyrtarët amerikanë thanë se sistemi nevojitej për të mbrojtur Europën dhe Shtetet e Bashkuara ndaj kërcënimeve të mundshme nga vende të tilla si Irani.

Por Daryll Kimball, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për Kontrollin e Armëve – një firmë private kërkimesh – thotë se Irani nuk përbën ndonjë kërcënim tani për tani.

"Irani nuk ka aftësinë për të goditur Europën me një raketë me rreze të gjatë veprimi. Ai nuk ka aftësi të caktuara për të hedhur raketa me rreze të mesme që mund të godasin krahun lindor të Europës kontinentale. Por duhet të mbajmë gjithashtu parasysh se Irani nuk ka as mbushje bërthamore, që t’i bënte këto raketa një kërcënim strategjik real. Për më tepër, Irani e kupton gjithashtu se nëse do të godiste një vend tjetër, atëhere do të ekspozohej ndaj një kundërpërgjigjeje. Dhe, nëse do të godiste ndonjë vend të NATO-s, atëhere të gjithë partnerët e NATO-s do të kundërpërgjigjeshin, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara."

Kimball dhe ekspertë të tjerë thonë se administrata e re e Presidentit Obama nuk është dhe aq e përkushtuar ndaj sistemit antiraketë sa ishte Presidenti Bush.

"Administrata Obama është shprehur mjaft qartë se do të ndjekë politikën e një mbrojtjeje efektive nga raketat balistike. Por ajo ka thënë gjithashtu se nuk ka ndër mend të instalojë sisteme që kushtojnë miliarda dollarë dhe që nuk e kanë provuar efikasitetin e tyre me anë testimesh me objekte fluturues. Në fakt, sistemi që administrata Bush po nxitonte të instalonte në Poloni dhe në Republikën Çeke as që ishte testuar. Fjala është për një interceptor me dy faza që është planifikuar të testohet tri herë brenda dy vjetësh e gjysmë por kjo nuk është bërë."

Mburoja antiraketë do të diskutohet në takimin e nivelit të lartë të Moskës mes presidentëve Obama dhe Medvedev. Rusët e kanë kritikuar me forcë sistemin duke thënë se ai ve në shënjestër Moskën – një pikpamje kjo që hidhet poshtë nga zyrtarët amerikanë.

Ja ç’thotë David Krejmër, ish zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit gjatë administratës Bush:

"Kur punoja në administratën Bush, mund t’ju them me siguri se synimi nuk ishte instalimi i 10 interceptorëve në Poloni dhe i 10 radarëve në Republikën Çeke. Qëllimi ishte përballja me mundësinë e një kërcënimi me armë bërthamore nga Irani dhe nuk kishte të bënte fare me Rusinë."

Robert Legvold i Universitetit Columbia, thotë se rusët e shikojnë mburojën antiraketë si hapin e parë të një plani me përmasa të mëdha.

"Rusët nuk janë dhe aq të preokupuar për kërcënimin e menjëhershëm, praktik, ushtarak dhe strategjik të këtyre sistemeve në Europën Qendrore por e shikojnë këtë si hundën e gamiljes nën tendë dhe besojnë se kjo ka lidhje me plane të tjera për instalimin në Alaskë të një sistemi kombëtar të mbrojtjes nga raketat, ka lidhje me objekte të tjera të mundshme raketore në Europë, apo ndoshta me një komponent raketash balistike në Lindjen e Largme, në Tajvan ose në rajone të tjera. Pra, rusët besojnë se ky mund të jetë një element i një sistemi më të madh."

David Krejmer thotë se janë bërë përpjekje për ta bindur Rusinë të marrë pjesë në mburojën antiraketë.

"Ekziston interesimi për të bashkëpunuar me Rusinë, për shembull duke përdorur radarët rusë në Armavir, në Rusinë jugore, si dhe në Gabala të Azerbajxhanit. Por Rusia ngul këmbë se një bashkëpunim i tillë do ta eliminonte nevojën për instalimin e sistemit antiraketë në Poloni dhe në Republikën Çeke. Politika e administratës Bush ishte se radarët në Rusinë jugore dhe në Azerbajxhan do të plotësonin planet amerikane për instalimet në Poloni dhe në Republikën Çeke. Pikpamja e administratës Obama në këtë çështje është më pak e qartë."


Ekspertët thonë se do të jetë interesante të shihet nëse gjatë takimit të nivelit të lartë të Moskës do të jenë apo në gjendje presidentët Obama dhe Medvedev të ngushtojnë dallimet dhe të mos lejojnë që çështja e mburojës antiraketë të kthehet në një pengesë të madhe për përmirësimin e marrëdhënieve Uashington-Moskë. //ii

XS
SM
MD
LG