Lidhje

Respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë



Drejtues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë nuk përjashtojnë mundësinë e shkeljes së këtyre të drejtave. Sipas tyre, problemet e mëdha në sistemin gjyqësor paraqesin shkeljen më të madhe të të drejtave të njeriut.

Një raport i fundit i komisionit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës vlerëson se Kosova ka një kornizë të mirë ligjore për mbrojtjen e këtyre të drejtave, por zbatimi në praktikë i kësaj kornize ligjore thuhet të jetë i mangët. Raporti radhit gjyqësorin në Kosovë si shkelësin më të madh të të drejtave të njeriut. Edhe Avokati i Popullit në Kosovë, Sami Kurteshi, veçon gjyqësorin dhe administratat komunale si shkelësit më të mëdhenj të këtyre të drejtave. “Janë dy drejtime. E para, shifrat tona në institucion flasin më tepër për shkelje të të drejtave në administratë dhe gjyqësi. Mund të them kryesisht është niveli komunal, dhe në numrin më të madh të rasteve shpesh bëhet fjalë për të ashtuquajturën ‘heshtje administrative’. Nuk kthehen përgjigje, ka vonesa në procese dhe këto janë ato që ne i vërejmë më së tepërmi”. tha zoti Kurteshi

Raporti i komisionit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës thotë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbahen peng i mungesës së ndonjë marrëveshjeje ndërkombëtare mbi statusin e Kosovës, ndërsa tërheq vërejtjen në respektimin më të madh të të drejtave të pakicave kombëtare. Avokati i Popullit thotë ndërkaq se institucionet në Prishtinë janë mjaftë të përkushtuara në respektimin e këtyre të drejtave. “Të drejtat kolektive, gjithmonë, përveç natyrës së të drejtave të njeriut, këto të drejta kanë edhe konotacion politik. Kjo nuk do të thotë se është e drejtë apo e padrejtë, sepse ne nuk jemi për të vlerësuar nëse është kërkesë e drejtë politike ose jo, kjo është detyrë e institucioneve të tjera. Por ne, në kuadër të kërkesave dhe ankesave që paraqiten në formë kolektive ne analizojmë nëse bëhet shkelja ligjore në trajtimin e pritjeve të tyre. Këtë ne e bëjmë pa hezitim”.tha zoti Kurteshi.

Drejtues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thonë se institucionet e Kosovës e kanë të qartë se respektimi i këtyre të drejtave është kriteri themelor për një shtet demokratik. Të drejtat e njeriut, e posaçërisht të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, janë një nga obligimet themelore të cilat Kosova duhet t'i përmbushë, obligime këto që dalin drejtpërdrejtë edhe nga propozimi gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisaari mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e vendit.//rd//

XS
SM
MD
LG